Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë në takimi me banorë të lagjeve informale në Durrës ka premtuar se brenda dy viteve të para të qeverisjes së tij do të përfundojë procesin e legalizimit.
Basha tha se situata tani është e vështirë dhe hodhi akuza për qeverinë, si shkaktare të krijimit të problemeve dhe vështirësimit të procesit.
“Për çështjen e legalizimit më duhet të them se plani ynë parashikon mbylljen e procesit brenda 24 muajve të qeverisjes sonë. Këtë e themi dhe duke marrë parasysh të gjithë problematikën e shkaktuar përgjatë këtyre 8 viteve dhe mungesën e vullnetit dhe një sërë masazh dhe vendimesh që e kanë bllokuar dhe vështirësuar procesin, por që do të anulohen dhe do të thjeshtohen për të përmbyllur procesin brenda 24 muajve të parë të qeverisjes.
Urbanizimi është shumë i rëndësishëm dhe për fat të keq shumë e parave që janë derdhur përgjatë 8 viteve do kishte dalë e tepruar jo vetëm për të urbanizuar këtë zonë, por të gjitha zonat informale në të gjitha qytetet e Shqipërisë“, tha Basha.
Basha tha se kryeministri Rama është kthyer në satelit të tij në këtë fushatë. Pra, sipas tij, që merret vetëm me të.
“8 vjet ka qeverisur, i ka pasur të gjitha pushtetet. Me çfarë vjen para jush? Asgjë!
Asnjë përgjigje nuk ka dhe merret gjithë ditën vetëm me opozitën, vetëm me mua. Prandaj ia kam thënë dhe ia përsëris: kjo fushatë do të mbahet mend si fushata ku kryeministri në ikje u kthye në satelit të kandidatit për kryeministër.
Unë bëj fushatë ai vjen vërdallë meje.
Do të jetë një kazus për t’u studiuar dhe për t’u mbajtur mend, fushata e 2021, ku kryeministri në ikje, u kthye në satelit të kandidatit për kryeministër”, theksoi Basha në Durrës.
Kujtojmë që Rama e vizaton Bashën si një dhëndër të krushqve Berisha-Meta-Kryemadhi, në një dasëm me synimin që kjo treshe të rikthehet në pushtet.