Pavarësisht thuajse 40 viteve mbi supe, Zlatan Ibrahimovic nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe forma e mirë që po kalon te Milani, ka bërë që kuqezinjtë t’i ofrojnë rinovimin edhe për një tjetër sezon.
Sipas mediave italiane, palët kanë nisur negociatat prej javësh dhe janë shumë pranë marrëveshjes për të zgjatur kontratën deri në verën e 2022-shit, kur Ibra të ketë 41 vite mbi supe. I rikthyer te Milani në dhjetor të 2019-ës, Ibra tregoi shumë shpejt se ka ende për të dhënë në futbollin e niveleve të larta, teksa edhe këtë sezon ka shënuar 15 gola me fanellën kuqezi, duke udhëhequr skuadrën drejt një vendi në zonën Champions.
Pikërisht dëshira për të luajtur sërish në kompeticionin më spektakolar për klube në botë, ka bërë që Ibra të marrë në konsideratë rinovimin e kontratës me kuqezinjtë, ndërsa zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të vijë që gjatë këtij muaji.
Vlen të theksohet se drejtuesit e Milanit po vijojnë negociatat me Mino Raiolën edhe për rinovimin me portierin Donnarumma, kontrata e të cilit përfundon në muajin qershor të këtij viti, por në këtë rast palët janë ende larg njëra-tjetrës.
Por a mjafton konfirmimi i Ibrahimovic për ta cilësuar të plotë sulmin? Sigurisht që jo. Për këtë arsye Milan kërkon ta përforcojë akoma më shumë repartin ofensiv. I pari në listë është Dusan Vlahovic që ka shpërthyer këtë pjesë të dytë të sezonit me Fiorentinën. Kartoni i tij nuk pritet të zbresë në 40 milionë, por avantazhi është se është i ri, i datëlindjes 2000.
Një tjetër emër është ai i Josip Ilicic. Ndryshe nga Vlahovic, nuk ka një profil që korrespondon identikitit të një lojtari “për Milan” nën drejtimin e Elliott. Jo për pagën, por sepse slloveni është 33 vjeç, një përjashtim për filozofinë e të rinjve që kërkon Milan.