Opinione Qeveria duhet të sfidojë imitimin e Berishës, nga Albin Kurti

Qeveria duhet të sfidojë imitimin e Berishës, nga Albin Kurti

Nga Mero Baze

Qeveria e re e Kosovës u ka ndaluar arsimtarëve të Kosovës të vaksinohen në Shqipëri, pas ofertës që shteti shqiptar u bëri mijëra mësuesve të Kosovës për t’u vaksinuar në Kukës. Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i gjendur në siklet mes urdhërit diabolik të Albin Kurtit që të mos pranojë vaksinat nga Shqipëria dhe nevojës ulëritëse që ka Kosova për vaksina, gjeti një arsye qesharake për t’u justifikuar, duke u bërë qesharak edhe si mjek, edhe si politikan.

Ai ju bashkua korit të Sali Berishës në Shqipëri, që tenton të trembë qytetarët e Shqipërisë, duke ju thënë se vaksina kineze nuk është e sigurtë.

Me këtë vaksinë deri më sot janë vaksinuar qindra milionë njerëz në gjithë botën, por Qeveria e Kosovës është gati t’i vdesë qytetarët e vet, mjafton të mos marrë vaksina nga Edi Rama, se u mërzitet Sali Berisha me Ilir Metën.

I pari që i ka fryrë këtij zjarri, Sali Berisha, ka dështuar me turp dhe i është kthyer në favor elektoral Edi Ramës. Shqipëria ka sot ritmin më të lartë të vaksinimit të popullsisë, nisur nga numri i popullsisë, dhe shqiptarët po rrinë në radhë në sheshin “Skënderbej” dhe pranë çdo qendre vaksinimi, për ta marrë atë.

Tani Shqipëria nuk ka si ja jep me zor qytetarëve të Kosovës vaksinën e saj, por mund të mbajë derën hapur në Kukës, për çdo arsimtar të Kosovës.

Argumentet patriotike të Albin Kurtit, se Kina dhe Rusia nuk e kanë njohur Kosovën, janë edhe më diabolike, për një udhëheqës që 70 për qind të tregtisë e bën me Beogradin, që jo vetëm nuk e njeh si shtet, por do ta zhdukë nga harta, ndërkohë që mijëra qytetarë të Kosovës po gjejnë rrugë të vaksinohen në Serbi.

Për këtë arsye, Qeveria shqiptare duhet ta bëjë diçka për të mos penalizuar mësuesit e Kosovës për shkak të kapriçove malinje politike të Albin Kurtit.

Qeveria shqiptare duhet të hapë në Kukës qendrën e vaksinimit për mësuesit e Kosovës. Ata mund të paraqiten me ID e Kosovës dhe një dokument që provon që janë pjesë e sistemit arsimor të Kosovës, dhe të vaksinohen.

Ata që janë dakord të besojnë Albin Kurtin, le të mos vaksiohen dhe le të mos vijnë. Por ka plot qytetarë normal në Kosovë, që nuk ua ka shpëlarë trutë Albin Kurti, dhe besoj akoma më shumë mësues që nuk janë diabolik si Albin Kurti, që vetë bën i pari vaksinën dhe pastaj ndalon mësuesit të vaksinohen.

Ata mund të vijnë në Kukës të vaksiohen si gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe të ikin. Derisa të sigurojë Albin Kurti vaksina, ka kaluar dimri tjetër dhe nuk i dihet sa vetë e arrijnë gjallë.

Kjo nuk është një garë për të sfiduar besnikët e Albin Kurtit. Kjo është një mënyrë për të tejkaluar pengesat politike që Albin Kurti i vendos kundër shqiptarëve të Kosovës, për arsye tërësisht politike për llogari të Sali Berishës dhe Ilir Metës, si dhe inateve të tij primitive.

Albini e ka boll votën e 50 për qind të shqiptarëve në Kosovë. Jetën nuk është e nevojshme t’ua marrë peng, për me e dhënë për të, kur dëshiron ai.

Aq më tepër, kur po ua kërkon me ngulm dhe mashtrime edhe jetën, njësoj si votën.