Bota Fuqitë e Mëdha me sytë nga Groenlanda, zgjedhjet në vendin me 56...

Fuqitë e Mëdha me sytë nga Groenlanda, zgjedhjet në vendin me 56 mijë banorë kanë ndikim për të gjithë botën

Këtë të martë zhvillohen zgjedhjet në Groenlandë, por edhe pse bëhet fjalë për një vend të vogël me vetëm 56 mijë banorë, rezultati mund të ndikojë thellësisht te interesat ndërkombëtare në Arktik.

Për këtë arsye, sytë e Fuqive të Mëdha, si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, janë të drejtuara nga territori që, edhe pse i përket Danimarkës, gëzon autonomi.

Ekonomia e Groenlandës mbështetet te peshkimi dhe subvencionet daneze, por shkrirja e akujve dhe planet për të ndërtuar një minierë mund të ndryshojnë drejtimin e votës dhe të ardhmen e territorit.

Çfarë është në lojë?

Mosmarrëveshjet mbi projektin e një miniere në jug të vendit kanë ndarë qeverinë, çka u bë shkas edhe për zgjedhjet e parakohshme. Kompania që ka në pronësi vendin ku do të ndërtohet miniera thotë se ajo “ka mundësinë të bëhet prodhuesi më i madh perëndimor i gurëve të rrallë”, një grup me 17 elementë që përdoren për të prodhuar materiale elektronike dhe armë.

Partia në pushtet, Simuit, mbështet zhvillimin, duke thënë që do të sigurojë qindra vende pune dhe qindra miliona dollarë të ardhura vjetore për dekada me radhë, çka mund të çojë në shpalljen e pavarësisë nga Danimarka. Por partia opozitare, Inuit Ataqatigiit, e kundërshton projektin, pasi pretendon se mund të shtohen mbetjen radioaktive.

E ardhmja e minierës Kvanefjeld është e rëndësishme për disa shtete: vendi është në pronësi të një kompania australiane “Greenland Minerals”, e cila mbështetet nga një kompani kineze.

Pse është e rëndësishme Groenlanda?

Në vitet e fundit vendi ka qenë kryefjalë e lajmeve botërore disa herë, sidomos kur Presidenti Donald Trump sugjeroi që Shtetet e Bashkuara duhet ta blinin. Danimarka nxitoi ta hidhte poshtë idenë si “absurde”, por interesi ndërkombëtar për të ardhmen e territorit ka vijuar.

Kina i ka shtuar marrëveshjet për miniera në vend, ndërsa SHBA – që ka edhe një bazë ajrore atje që prej epokës së Luftës së Ftohtë – ka ofruar miliona në ndihmë financiare.

Edhe Danimarka ka theksuar së fundmi rëndësinë që ka territori, pasi në vitin 2019 e futi në listën e prioriteteve të sigurisë kombëtare, për herë të parë në historinë e vendit. Ndërsa në mars të këtij viti, një organizatë ndërkombëtare doli në përfundimin se Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re duhet të përqendrohen te Groenlanda për të ulur varësinë nga Kina sa i përket furnizimin me minerale kyçe.

Por nuk është vetëm miniera problemi kryesor i Groenlandës. Territori është në vijën e parë të betejës kundër ngrohjes globale, pasi shkencëtarët raportuan humbje rekord të akullnajave, diçka që ndikon te shumë vende të tjera bregdetare në të gjithë botën.

Megjithatë, pakësimi i akujve ka rritur mundësinë për industrinë minerare dhe ka hapur rrugë të reja të transportit detar, që mund të shkurtojnë udhëtimet. Ky ndryshim ka rritur vëmendjen e shteteve që kërkojnë të dominojnë Arktikun. Më e fundit, Rusia, e cila ka shtuar praninë ushtarake në zonë, duke shqetësuar shtetet perëndimore.