Politika Basha: Çdo vit 100 milionë euro subvencione, 50 milionë euro për infrastrukturën...

Basha: Çdo vit 100 milionë euro subvencione, 50 milionë euro për infrastrukturën bujqësore

Cërriku ka qenë qyteti i radhës i fushatës elektorale të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai tha se pas 8 vite dështim dhe keqqeverisje, njerëzit nuk durojnë më. Për këtë Basha kërkoi votën në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Mbaj mend takimin në lokalin tjetër në rrugën atje pasi rriti çmimin e naftës, pasi vendosi TVSH-në për bizneset e vogëla, kur hoqi familjet nga ndihma e ekonomike, kur shpunësoi  mijëra baballarë dhe nëna pa pyetur as për ta as për fëmijët e tyre. 8 vite dështime, 8 vite varfërim, papunësi. 8 vite premtime të pambajtura, sot një njeri në pozitën e tij duhet të kishte vetëm dy fjalë në gojë dhe të largohej. T’i thoshte çdo shqiptari, çdo prindi, çdo fëmije, çdo nëne dhe baballarë, çdo gjysheje dhe çdo gjyshi më fal dhe të largohej. Por Edi Rama dy herë ka ardhur në dyert tuaja dhe ka trokitur është futur përdhunshëm brenda dhe ka shkatërruar familjet, shtëpitë ekonomitë. Tani po troket për herë të tretë do ia hapni derën? Kudo nëpër Shqipëri po e diskutonim me miqtë që po ecnim tani së bashku kudo dëgjoj ndiej, prek vendosmërinë e shqiptarëve për ndryshim. Dhe fjalët që dëgjoj më shumë janë dy: Nuk durohet më , një orë e më parë nuk durohet më, mezi po presim me 25 prill dhe e dyta që dëgjoj është tani është në dorën tonë. Në të vërtetë tani është në dorën tuaj. Bashkë për ndryshim, Cërriku fiton, Elbasani fiton, Shqipëria fiton”, tha Basha.

Basha shpjegoi programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, i cili parashikon 100 milionë Euro subvencione vit për vit për fermerët, 50 milion Euro për infrastrukturën bujqësore dhe zgjidhjes së problemit me pronat. Ai tha se subvencionet janë çelësi për të luftuar problemin që kanë fermerët që është mungesa e tregut.

“Për të thithur grante, kryesisht nga Bashkimi Europian, por jo vetëm. Bujqësia ka vend qendror në programin tonë. Kjo verifikohet fare lehtë, ky përkushtim, ky angazhim ndaj bujqësisë verifikohet lehtë, në radhë të parë në buxhetin që ne planifikojmë nga taksat e shqiptarëve. 100 milionë Euro subvencione, 50 milionë Euro për infrastrukturën bujqësore vit për vit. Subvencionet do të shkojnë drejt për drejtë tek fermeri, drejtpërdrejtë do të thotë, në radhë të parë pa burokraci dhe pa kërkuar Nipt-in që i kërkohet biznesit, sipërmarrjes normale, por duke konsideruar numrin unik të identifikimit të shtetasit që ka çdo fermerë në kartën e vet të identitetit si Nipt-in e fermerit. Pra subvencionet janë çelësi për të luftuar problemin më të madh që keni ju, që djersa në vend që t’iu kthehet në bekim ju kthehet në mallkim, në vend që t’iu prodhojë mirëqenie ju fut në borxh dhe prodhimet në vend që të shiten groposen. Subvencionimi zgjidh edhe problemin që tha zotëria të imputeve bujqësore pjesërisht, zgjidh problemin e kostos që kjo sjell tek prodhimi, që nga farat, fidanët, që nga pesticidet dhe plehrat kimike dhe sigurisht, ulja e çmimit të naftës me 240 lekë për litër që është taksa që Rama i vuri karburantit këto dy mandate. Problemi tjetër është problemi i infrastrukturës, më the çdo gjë e ke bërë vetë, rrugën 750 metra linjën elektrike etj. Pse? Sepse në këto 8 vite të mbushura me dështime nuk është investuar as në infrastrukturën urbane. Shiko, unazën e Tiranës 8 vjet se mbaruan dot, ne bëmë dy tunele, Kalimashin dhe Elbasanin, autostrada, rrugë. Këta nuk mbaruan dot unazën e Tiranës që e gjetën gati me projekt, me financime, me të gjitha. Pra, me këtë plan ne e fusim bujkun shqiptar, fermerin shqiptar, blegtorin shqiptar dhe agro-përpunuesin shqiptar në treg, sepse sot jeni jashtë tregut. Po falimentoni po largoheni, fëmijët po shkojnë në emigracion, madje përfitojnë me shkuar si mëditës në vendet fqinj në vend që punojnë në tokën e begatë nga zoti. Ky angazhim do të marrë formë menjëherë  dhe  do të zbatohet pa burokraci, nuk do të ketë kërkesë për certifikatën e tokës, sepse certifikatën e tokës ti ke se s’ta kam dhënë unë, s’ta ka dhënë shteti, deri sa ta zgjidhi shteti. Dhe në programin tonë për pronarët dhe për pronën, prioritet është që t’i jepet fund problemit të mungesës së tapive në zonat rurale, siç është dhe problemi i kompensimit të pronarëve dhe prona në tërësi”, tha Basha.