Opinione Përse do e votoj sot zonjën Merkel

Përse do e votoj sot zonjën Merkel

Sot në të gjithë shtetin gjerman janë zgjedhjet e reja parlamentare. Dhjetëra milionë njerëz, mes të cilëve edhe disa milionë të huaj të cilët kanë tashmë nënshtetësinë gjermane, qetësisht kanë të drejtë të përcaktojnë qeverisjen e ardhshme. Njëri prej tyre, me dy nënshtetësi, të vendit tim, Shqipërisë, dhe të shtetit gjerman, prej më shumë se 15 viteve, jam edhe unë.

Në të gjitha zgjedhjet e shkuara jam menduar gjatë për votën time: do ishte ajo, sado e parëndësishme, për socialdemokratët gjermanë, bindjet e të cilëve janë shumë pranë bindjeve të mia, apo për kristiandemokratët, të cilët duken më të ftohtë ndaj të huajve, më të rezervuar dhe disi më të largët. Ka qenë një dilemë për shumë të huaj të gjermanizuar për nga nënshtetësia, pasi rrjedha e jetës së tyre shpesh herë ka ndryshuar nga vendimi që kanë marrë për nënshtetësinë e tyre, por edhe për përcaktimin e tyre politik.

Nga njëra anë ka qenë gjithnjë SPD, partia më e vjetër gjermane në skenën aktuale politike, krijuar për herë të parë në një qytet pranë vendit ku jetoj, quhet Esslingen, e përndjekur mizorisht nga e djathta ekstreme e nazizmit dhe shpresë për një rimëkëmbje shpirtërore gjermane, që ishte , dhe është, shumë më tolerante ndaj të huajve, qëndrimit të tyre dhe punësimit.

Nga ana tjetër një parti e fortë politikisht, që vazhdon të ketë në thelbin e saj trinomin, shtet – ekonomi- familje, CDU, përmes së cilës ka ndodhur ringritja ekonomike gjermane, që nga shëmbëlltyra e parë e pasluftës, Konrad Adenauer, njeriu që mori përsipër të drejtonte një shtet që kishte damkën e mizorit dhe kur shumë gjermanë nuk e ndjenin veten mirë, pikërisht sepse ishin të tillë.

Jam luhatur mes dy zgjedhjeve, megjithëse tani në skenën politike gjermane lëvizin e shpeshherë vendosin disa parti të vogla, që janë bërë tradicionale, dhe që, duke e zhvendosur balancën e tyre politike herë nga e majta, e herë nga e djathta, rëndojnë mbi peshën që bartin forcat e mëdha politike, aq sa të jenë edhe përcaktuese në disa fusha.

Nuk është fjala për tortën e partive të vogla, të cilat edhe pse janë nganjëherë tepër të vogla dhe jo vendosëse, përsëri marrin aq shumë nga torta e pushtetit, sa që e mbytin fare atë.

Ky është shtatori që nuk ndjej asnjë luhatje, asnjë. Përcaktimi është bërë prej kohe dhe, ashtu si katër vite më parë, do të rivotoj për zonjën Merkel, e cila, në mandatin e saj të katërt do të ketë të njëjtën ecuri si edhe më parë.

Përse do e votoj atë dhe cilat janë pikat e përbashkëta me atë që ndodhi në Shqipëri në 25 qershor, ku besimi i shumicës rëndoi aq fort në balancën e pushtetit, sa që e zhvendosi krejtësisht majtas?

Zonja Merkel të jep siguri. Siguria në këto momente është më e rëndësishmja. Është një botë financiare që lëviz, ku uljet e ngritjet e vlerave, sado të parëndësishme të duken, në ekonomitë e mesme, rëndojnë shumë. Askush nuk e di sigurinë që të afron kandidati i SPD-së, zoti Martin Schulz. Në të vërtetë ai është një politikan i klasit të parë, i rrahur me politikën deri në detaje dhe një njeri i shpresës së socialdemokratëve, por askush nuk e di se sa mund të jetë edhe vazhdimi i shpresës që ka ngjallur zonja Merkel në 12 vitet e saj të pushtetit. Enigma që mund të zgjidhet në katër vitet e pushtetit të zotit Schluz, nëse ai fiton, çka është thuajse e pamundur, aq sa është e pasigurtë, aq është edhe e paprovuar.

Siguria që të afron zonja Merkel është e një natyre të tillë që ndjehet edhe në jetën e përditshme gjermane. Programi i saj, i afruar për njerëzit, mes të cilave edhe ndërtimi i 1 milionë e gjysmë shtëpive të reja, rritja e ndjeshme e prodhimit bruto gjerman mbi3.5 për qind dhe kjo është përqindje gjermane, jo vetëm e saktë, por edhe e ndjeshme, një ekonomi e fortë, përmes së cilës njerëzit në këtë vend mirë dhe të sigurtë të jetojnë, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme fuqishëm nga shteti, përmes subvencioneve, kredive të buta dhe me një përqindje interesi gati të papërfillshme, mbështetja e familjeve të reja, dhe parimi se “një Europë e fortë, do të thotë edhe një shtet gjerman i fortë”.

Vizioni i zonjës Merkel, përmes sigurisë që të afron, lëviz që nga fillesa e jetës e deri tek Bashkimi Evropian. Dhe në mesin e tyre janë njerëzit.

Siguria ishte shkaku kryesor që në Shqipëri njerëzit i besuan Edi Ramës një mandat të dytë, më të fuqishëm se të parin. Duke qenë përballë dy figurave që nuk të ofronin asnjë lloj sigurie, Petrit Vasilit dhe Bashës, njëri të dukej si shtojcë e panevojshme e Metës dhe tjetri si një patericë që kishte hedhur në betejë Berisha, ishte shumë e natyrshme që njerëzit të drejtoheshin drejt Ramës. Në mes besimit dhe mosbesimit, njerëzit zgjodhën të parën.

Së dyti, Merkel është idea e vazhdimësisë në një shtet që luhatjet i ka pasur të vogla, por ndryshimet e mëdha. Të ndryshosh përmes vazhdimësisë, kjo është njëra nga arritjet më të mëdha politike e financiare të qeverisë së kancelares Merkel. Gjermania nga njëra anë ka mbetur ajo që ka qenë, tradicionale në mendimin e saj dhe në mendimin e saj për shtetin e fortë gjerman dhe besimin ndaj shtetit, e nga ana tjetër ajo ka lëvizur drejt ndryshimit.

CDU, për shembull, një forcë politike që për shumë vite ishte porta e mbyllur e të huajve, sidomos azilkërkuesve, befas, në krizën siriane u bë porta e hapur për të gjithë. Pak kush e kuptoi këtë veprim të kancelares gjermane, edhe brenda radhëve të saj, sidomos jashtë tyre, kundërshtimet ishin të mëdha. Shumë vetë besonin se politika e saj e hapjes së dyerve do të ndikonte në rritjen e një partie radikale gjermane, shfaqur kohët e fundit, AfD, Alternativa për Gjermaninë, e cila, duke u shfaqur tejet konservatore, si klasa e junkerëve të dikurshëm gjermanë, mund të përfitonte nga kjo klimë e re e politikës së kancelares gjermane.

Nuk ndodhi asgjë kaotike dhe asnjë përmbysje. Alternativa për Gjermaninë u rrit në disa lande gjermane, diku – diku u bë edhe forcë e parlamenteve të Landeve, por asnjëherë vendimtare. Duke dashur të spekullojnë me traditën, ata e kanë harruar atë që kuptoi e para zonja Merkel, që jeta klasike gjermane, tradicionale duhet të qëndrojë e fuqishme, por ndryshimi është i domosdoshëm.

Në Shqipëri, Rama duhej të ndryshonte së pari shtëpinë e tij politike, të kishte një frymëmarrje ndryshe, më moderne, por duke ruajtur atë traditë vazhdimësie që ishte krijuar prej disa viteve. Duke qenë partia më e madhe dhe më e votuar në Shqipëri, ajo e kishte t domosdoshme ndryshimin, jo thjeshtë tek ngjyra e saj përfaqësuese, që është petku i jashtëm, por tek thelbi i saj: përqasja moderne ndaj ndryshimeve që kishte domosdoshmëri vetë vendi.

Së treti, mjaft të majtë që jetojnë në shtetin gjerman, dhe që, në shumë vite, kanë përkrahur SPD, ende duke qenë anëtarë dhe përkrahës të saj, do të votojnë kancelaren Merkel. Një në dy gjermanë, sipas anketave, janë pro saj. Si mund të ndodhë kjo?

Mendimi politik është i domosdoshëm, por jo gjithnjë përcaktues. Të mirës i duhet thënë e mirë. E begatshmja duhet përkrahur. Nëse kundërshtari politik e bën një punë më mirë se sa ti, atëherë i duhet hapur rrugë dhe duhet pritur koha kur ti vetë mund ta bësh më mirë atë.

Merkel i bën punët më mirë, më saktë, përvoja e saj në administrimin e shtetit është mrekullisht e përkrahur.

Në Shqipëri ndodh ndryshe: të votosh për kundërshtarin tënd është krim politik. Megjithatë, jam i bindur se këtë e kanë bërë shumë demokratë që kanë votuar për Edi Ramën, këtë e kanë bërë edhe të paktën dy deputetë të opozitës që votuan për Gramoz Ruçin. Ne kemi një opozitë që para se të thotë punë e mbarë, të thotë plaç.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, do e votoj zonjën Merkel për lidhjet e saj të pashoqe me shtetin shqiptar, sidomos me kryeministrin e vendit tim, Ramën.

Asnjëherë më parë një kancelar gjerman nuk ka treguar këtë vëmendje për shtetin shqiptar, kurrë nuk kishte ndodhur që në parlamentin gjerman një kancelar të citojë bisedën me një kryeministër të vendit tim. Jo një herë. Vizioni i saj për Ballkanin dhe sidomos për Shqipërinë, është më i sakti i deritanishëm dhe më i domosdoshëm.

Sot, megjithëse një njeri që i takoj së majtës, votën time do e kem për një kancelare të së djathtës.

Do të ndodhë kështu edhe tek ne, por në kahun e kundërt; do të ketë shumë të djathtë që do i besojnë përsëri një drejtuesi të së majtës./ Bedri Islami/ DITA