Në Irlandën e Veriut po shtohen simptomat e krizës. Përleshjet kanë rifilluar si gjithmonë midis mbështetësve unionistë dhe protestantë që duan të mbeten pjesë e kurorës britanike, dhe pjesa katolike që kërkon pavarësinë e plotë ose bashkimin me Republikën e Irlandës.
Deri sot, shumë linja politike të konfliktit në Irlandën e Veriut kalojnë përgjatë fronteve të vjetra të luftës civile. Kjo luftë civile zgjati 30 vjet, rreth 3.500 vetë u vranë dhe dhjetëra mijëra u plagosën para se Marrëveshja e së Premtes së Mirë e vitit 1998 të sillte paqen. Por ajo është e brishtë.
Edhe sot në njërën anë janë të ashtuquajturit unionistë, kryesisht protestantë që propagandojnë bashkimin me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Nga ana tjetër, janë kryesisht republikanët katolikë, që duan një bashkim midis veriut dhe Republikës së Irlandës në jug.
Për Unionistët, në qeverinë rajonale është DUP; për Republikanët, Sinn Fein, i cili dikur ishte krahu politik i organizatës terroriste IRA. Arsyeja specifike për trazirat e fundit është funerali i një ish-luftëtari të IRA-s verën e kaluar. Qindra, disa thonë deri në 2000 vetë kishin ardhur në ceremoninë e përmortshme – edhe në mes të masave kufizuese. Anëtarët me poste drejtuese të Sinn Fein-it ishin midis të ftuarve.
Pavarësisht kësaj, Prokuroria Publike vendosi javën e kaluar që nuk do të ketë ndjekje penale, në reflektimin midis ndjeshmërisë së këtij funerali dhe rrezikut për shëndetin publik, sepse në fund të fundit nuk mund të provohet asnjë shkelje e padyshimtë e ligjit. Unionistët e kritikojnë këtë ashpër. Ata thonë se për Sinn Fein vlejnë me sa duket rregulla të tjera, se për të gjithë të tjerët. Përveç kësaj, unionistët shqetësohen gjithashtu për rregullat e Brexitit me BE për Irlandën e Veriut. Ata kanë frikë se rregullat tani të ndryshme për pjesën e tyre të vendit dhe për pjesën tjetër të Britanisë së Madhe do të çojnë në një ndarje graduale nga Mbretëria e Bashkuar.
Konflikti real
Pikërisht kufijtë janë arsyeja e acarimit të situatës, që ka filluar të shqetësojë edhe Londrën. Çështja më delikate e Brexit, tërheqjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ishte ajo e Irlandës së Veriut.
Banorët e Irlandës së Veriut nga viti 1998 qarkullojnë lirshëm në Republikën e Irlandës, si pjesë e marrëveshjes. Për të shmangur ngritjen e një kufiri doganor britanik me republikën e Irlandës, siç ndodh tashmë me vendet e tjera të BE-së, kryeministri britanik Boris Johnson pranoi që Irlanda e Veriut, edhe pse pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, të mbetej brenda regjimit doganor të BE-së. Por si pasojë, kjo ka krijuar faktikisht një kufi midis Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe, ku kanë filluar kontrollet.
Kjo gjë ka sjellë pakënaqësi të theksuar të komuniteti unionist, që ndihet i braktisur nga Londra. Raportimet flasin për kërcënime për vdekje ndaj doganierëve nga ana e grupeve paramilitare protestante që ende ekzistojnë, dhe tashmë situata ka kulmuar në përballje të drejtpërdrejtë, dhe kërcënon për përkeqësim të mëtejshëm. Përballja la në terren autobusë të djegur, pjesëtarë të forcave të rendit të plagosur, me hedhje reciproke të shisheve molotov.