Bota Franca, vendi i parë në botë që nis kombinimin e dozave të...

Franca, vendi i parë në botë që nis kombinimin e dozave të vaksinave

Franca bëhet vendi i parë në botë që nis kombinimin e dy dozave nga vaksina të firmave të ndryshme. Autoriteti i Lartë Shëndetësor në këtë vend e sheh këtë të mundshme, pas ndalimit të vaksinimit me vaksinën AstraZeneca për personat nën 55-vjeç për shkak të rrezikshmërisë së rritur për zhvillimin e trombozave.

Për të gjithë personat nën 55vjeç që kanë marrë vetëm një dozë të kësaj vaksine para daljes së këtij rregulli, ky autoritet rekomandon që për të mos shkelur afatin prej 12 javësh mes dy injeksioneve, të dytën mund ta marrin nga njëra prej vaksinave që përdorin metodologjinë inovative të lajmëruesit të ARN-së, Pfizer/BioNTech ose Moderna.

Këtë e pohoi edhe ministri i shëndetësisë Oliver Veran. “Ky është një hap logjik, pas pezullimit të vaksinës te personat nën 55 vjeç”, tha ministri francez.

Pasojat e kombinimit të dozave nga vaksina të ndryshme janë ende të paqarta. Ende nuk ka rezultate konkrete nga studimi i parë i gjerë që nisi që në fillim të këtij viti në Britaninë e Madhe për këtë çështje. Veç metodologjisë, AstraZeneca dhe Pfizer e Moderna kanë nivele tepër të ndryshme efektshmërie, e para në 76% ndërsa dy të tjerat mbi 90%.