Një modele e “Pretty Little Thing, e cila ndiqet nga më shumë se 160 mijë persona në llogarinë e saj të Instagramit, ka zbuluar se është dënuar për shitje kokaine dhe heroine.
Teksa ka folur për “Sunday People”, Rebecca Vieira, e cila njihet edhe si Rebecca Marques, ka treguar se një ish-i dashuri i saj i kishte bërë presion të shpërndante drogë, ndërsa për këtë gjë u vu në pranga në vitin 2019 në Merstham të Anglisë, kur u dënua me 20 muaj burg.
Tashmë e lirë, Rebecca ka treguar se gjithçka i përket së shkuarës dhe tani ajo është më e fortë, si dhe i është rikthyer jetës së saj normale. “Kam heshtur dhe kam marrë dënimin sepse nuk kisha asnjë mundësi tjetër. Fatmirësisht, arrita të largohem nga ajo rrugë, por jam akoma duke parë makthe. Unë jam një person më i fortë tani dhe inkurajoj të gjithë njerëzit që të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë dhe të mos qëndrojnë të izoluar në botën e tyre”, është shprehur modelja.