Prokuroria e Posaçme nis verifikimin në lidhje me akuzat për përdorimin e të dhënave personale të përdorura nga Partia Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit.
Ky hap i SPAK u ndërmor pasi në media u publikuan të dhënat e e-albania për qytetarët, që ishin në database-n e Partisë Socialiste.
“Po bëjmë verifikime, por nuk ka ende denoncime”, tha kreu i SPAK Arben Kraja.
Në database, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës, ku tregohet numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj.
Edhe Presidenti Ilir Meta do t’i kërkojë SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar “keqpërdorimin e të dhënave personale nga ana e Partisë Socialiste”. Në një deklaratë për mediat nga Pogradeci, kreu i shtetit tha se kjo është një shkelje e papranueshme.
“Të gjitha cilësitë si drejtues i shtetit drejtuar SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen e fundit skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe vjedhjes nga ana e PS të të dhënave personale të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe morali për t’i vendosur në dispozicion të vetëm një force politike. Përdor forma të tilla të poshtra ku bën presion u keqpërdor të dhënat me qëllimin intimidimin e tyre. Koha që shqiptarët kishin frika nga qeveria ka mbarur. Data e fundit ishte 2 marsi kjo qeveri ka ikur nga mendja dhe veç të tjera se shkel ligjin. Ka ardhur koha që qeveritë që do të vijnë do ketë frikë nga populli askush s’do mund t’i frikësojë e intimidojë ata dhe zbojë ata për t’u zëvendësuar me qytetarë të Bangladeshit që nuk kanë pretendime për liri e demokraci”.
Ditën e djeshme reagoi dhe Partia Demokratike, duke e cilësuar çështjen si skandal, ndërsa bëri me dije se do i drejtohej SPAK me një padi.