Bota Serbia fillon prodhimin e Sputnik: Do të eksportohet tek vendet e rajonit

Serbia fillon prodhimin e Sputnik: Do të eksportohet tek vendet e rajonit

Moska njoftoi fillimin e prodhimit të vaksinës Sputnik V kundër koronavirusit në Serbi, vendi i parë europian jashtë Rusisë dhe Bjellorusisë që prodhon dozat. Njoftimi u dha nga Fondi Rus i Investimeve Direkte që ka financuar zhvillimin e vaksinës.

“Seria e parë e flakonëve të vaksinës Sputnik V u mbush në Institutin Torlak”, njoftoi Nenad Popoviç, Ministri serb i Novacionit.

Serbia e filloi përdorimin e vaksinës ruse që në muajin Janar.

“Shkalla e vaksinimit do të rritet ndjeshëm falë prodhimit vendas”, tha shefi i Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev.

Në një fazë të dytë kjo vaksinë do të eksportohet edhe në vendet e tjera të rajonit.

Rusia e regjistroi vaksinën Sputnik V Gushtin e kaluar, pa mbaruar ende provat klinike. Por testimet e mëvonshme zbuluan efikasitetin e lartë të vaksinës. Një prej studimeve u publikua edhe në revistën mjekësore Lancet që konfirmoi një efikasitet mbi 90 për qind të vaksinës. Vaksina është miratuar deri më tani në rreth 60 vende të ndryshme të botës.