Nga Kamza kryeministri Edi Rama ka folur sërish në lidhje me ofertën e bashkëpunimit me kreun demokrat Lulzim Basha dhe refuzimin e këtij të fundit. Ai ka akuzuar Bashën se nuk është udhëheqës, por udhëndjekës i Berishës dhe Metës dhe nuk ka vizion.
Rama u shpreh sërish i gatshëm të bashkëpunojë me kreun demokrat dhe të shkojë përtej ndasive politike 30-vjeçare, në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Por kjo, sipas Ramës duhet të bëhet kur kryetari i opozitës të ndahet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“Çështja nuk është do fitojë apo s’do fitojë PS, çështja është si ne do të shkurtojmë kohë, si ne do të afrojmë, të ardhmen si do ta prekim të ardhmen shumë më shpejt sesa do ta preknim nëse nuk do të bëheshim bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja nuk është për mua. Fitorja nuk është as për Elisën, as për deputetët, fitorja nuk është për politikanët, fitorja është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Më lejoni ta them se si është. Fitorja është për ato gra që janë nëna dhe luajnë mendsh që shohin politikanët që kacafyten me njëri tjetrin. Fitorja është për të gjitha gratë e vajzat që i kemi mbështetur dhe janë shumë më brenda jetës sociale. Grave dhe vajzave ju duhet jo një fitore e PS-së, ju duhet një fitore që shkon përtej pandemisë, përtej politikës. Për këtë është fitorja.
Që ta mbaroj, më thotë ai gazetari “je ti gati të bashkëpunosh me Lulzim Bashën”, Patjetër, padiskutim, por me një kusht, duhet të ndahet nga Saliu dhe nga Iliri. Lulzim Basha përgjigjet. Dhe përgjigja e tij është thjesht dhe vetëm pohim i faktit që ai nuk është një lider, ai nuk është një udhëheqës, është udhëndjekësi i Saliut dhe i Ilirit. Sepse unë për Shqipërinë, për shqiptarët jam i gatshëm të shkoj përtej të gjitha ndasive të 30 vjetëve, por që ta bësh këtë duhet të jesh lider, që ta bësh këtë duhet të jesh udhëheqës, duhet të kesh vizionin e të ardhmes, që ta bësh këtë duhet që të jetosh së brendshmi me hallet me stresin, me problemet, me aspiratat e njerëzve. Duhet të rrish pa gjumë kur njerëzit janë pa çati. Duhet të rrish kur njerëzit janë pa gjumë dhe ata kur kanë ankthin se është pandemie. Ne nuk na ndali tërmeti. Nuk na ndali pandemia. Kush do të na ndarë ne?”, tha Rama.