Seritë e reja televizive të Zotit të Unazave prodhuar nga Amazon Studios do të kushtojnë 465 milionë dollarë. Dhe kaq vetëm për sezonin e parë. Hollywood Reporter raporton se kjo shifër shkon shumë përtej vlerave të deklaruar më parë që parashikonin diku te 500 milionë dollarë për disa sezone.
“Ajo çfarë mund t’ju them është se Amazon do të shpenzojë 465 milionë dollarë për një sezon vetëm. Është fantastike…këto do të jenë seritë televizive më të mëdha të bëra ndonjëherë”, citohet të jetë shprehur Stuart Nash, ministri për Zhvillimin Ekonomik i Zelandës së Re.
Studiot e Amazon parashikohet të filmojnë pesë sezone në Zelandën e Re. Krahasuar me Luftën e Mbretërive(Game of Thrones), seriali qëndron shumë më lart për nga shpenzimi.
Game of Thrones kushtoi diku te 100 milionë dollarë për një sezon ku një episod shkonte diku te 6 milionë dollarë për të arritur 15 milionë dollarë për episod në sezonin e tetë. Nga 465 milionë dollarë që pritet të shpenzohen, 250 milionë dollarë do të shkojnë vetëm për të drejtat e John Ronald Reuel Tolkien.