Sot u ul në aeroportin e Kukësit aeroplani i parë me pasagjerë i nisur nga Londra, duke kaluar tranzit nga aeroporti i Rinasit në Tiranë.
Me këtë aeroplan udhëtoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili pasi zbriti në Kukës zbardhi edhe arsyet përse ky aeroport quhet “Zayed – Flatrat e Veriut”.
Kryeministri tregoi se aeroporti i Kukësit mban emrin “Zayed” në nder të Princit të Kurorës të Emirateve Arabe për shkak të ndihmës që ka dhënë gjatë periudhës së luftës së Kosovës kur shumë kosovarë u zhvendosën në Kukës.
“Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë. Në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota. Midis tyre erdhi dhe dikush që sot është Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhamed bin Zayed, i cili është i biri i një prej burrave më të urtë që me mençurinë e tij arriti t’i japë jetë atyre që sot e njohin si Emiratet e Bashkuara Arabe. I ati e nisi të birin që shoqërohej nga ai që sot është Kryeministri i Dubait dhe erdhën këtu për t’u kujdesur për refugjatët e luftës. Dhe plaku i urtë kishte dhënë urdhër që urgjentisht të hapej pista. Dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë. Princi i Kurorës e kujton edhe sot që kur ai ishte këtu i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste “të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave që asnjë familje mos t’i mungojë ushqimi”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama shpjegoi edhe arsyen përse fluturimi nuk u krye direkt nga Londra në Kukës, por tranzit nga aeroporti i Rinasit.
“Sipas gjithë rregullave të aviacionit ndërkombëtar çdo aeroport nga momenti kur bëhet operacional fillon si një aeroport lokal dhe ka një procedurë certifikimi për t’u bërë aeroport ndërkombëtar e cila zgjat 50-60 ditë, dhe pasi bëhet aeroport ndërkombëtar, menjëherë do të fillojë një lëvizje që do të shkojë duke u rritur”, tha Rama.