Kryesore Asnjë i infektuar me Covid nuk do mund të votojë

Asnjë i infektuar me Covid nuk do mund të votojë

Personat që do të jenë të izoluar si pasojë e Covid-19 në 25 prill nuk do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Ata nuk mund të dalin nga mjediset e shtëpisë për të shkuar në qendrat e votimit pasi rrezikojnë të përhapin virusin. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në një intervistë për televizionin Klan thotë se edhe pse të gjithë kanë të drejtën e votës në këtë moment do të prevalojë ligji për sëmundjet infektive.

“Në bazë të ligjit për zgjedhjet ne nuk e kemi mundësinë që kutia e votimit të shkojë tek banorët, por është e kundërta. Ligji nuk na e lejon rastin e parë që të shkojë kutia tek banori, por është banori ai që duhet të shkojë në qendrën e votimit. Për pacientët që mbartin Covid-19, që janë karantinuar, apo që janë në spital, nëse shkelet ligji, shkelet ligji për sëmundjet infektive. Janë dy elemente ligjore që duhet të ruhen për të mos i prekur dhe mos i shkelur ato”.

Por gjithçka do të mbetet në ndërgjegjen e qytetarëve pasi nuk do të ketë rregulla shtesë për të ndalur të infektuarit me Covid të hyjnë në qendrat e votimit. Aktualisht në vend janë rreth 27 mijë të infektuar aktiv prej të cilëve 19 mijë janë në kryeqytet.