Nga Arianna Ascione – Corriere
Në 1:23 të mëngjesit më 26 prill 1986, gjatë një testi, reaktori numër 4 i termocentralit bërthamor të Çernobilit (në Republikën Socialiste Sovjetike të atëhershme të Ukrainës) shpërthen. Do të jetë aksidenti më i rëndë në historinë e energjisë bërthamore civile, i treguar mbi tridhjetë vjet më vonë nga një miniserial i cili, përveç ilustrimit të asaj që ndodhi atë natë dhe në ditët në vijim, tregon edhe historitë e heronjve, burrave dhe grave, të cilët dhanë kontributin e tyre për të shpëtuar Europën nga katastrofa.
Bëhet për fjalë për serialin “Çernobil” (2019), shkruar nga Craig Mazin dhe me regji nga Johan Renck. Filmi ka marrë 42 çmime, përfshirë 10 Emmy, dy Golden Globes dhe një Grammy). Ja disa kuriozitete që duhet t’i dini.
Termocentrali “binjak”
Duke pasur parasysh pamundësinë e xhirimeve në vendet ku ndodhi aksidenti, xhirimet e serialit u vendosën në vende të tjera të ngjashme me origjinalet, të tilla si termocentrali i papërdorur Ignalina në Lituani (konsiderohet “binjak” i Çernobilit) dhe rrethi i banimit të Vilnius Fabijoniskes.
Çfarë ndodhi me tre anëtarët e skuadrës së emergjencave
Alexei Ananenko, Valeriy Bezpalov dhe Boris Baranov, tre burrat që dolën vullnetarë për të hyrë në rezervuarët e sigurisë së reaktorit të mbushur me ujë të kontaminuar dhe për të hapur valvulat për të parandaluar një shpërthim tjetër, besohej për vite me radhë se kishin vdekur. Andrew Leatherbarrw, autori i librit “Çernobil 01:23:40” i botuar në vitin 2019 (një nga librat që frymëzoi serinë së bashku me “Lutja për Çernobilin” nga shkrimtarja bjelloruse Svetlana Aleksieviç), zbuloi gjatë hulumtimit të tij se ata të tre i mbijetuan ekspozimit ndaj rrezatimit (Baranov ndërroi jetë në 2005 pas një sulmi në zemër, ndërsa dy kolegët e tjerë janë ende gjallë – për Alexei Ananenko dihet se ai jeton me një pension prej 369 euro në muaj). Të tre në vitin 2018 morën një medalje për trimëri.
Vetëvrasja e njërit prej heronjve të shpëtimit
Nagashibay Zhusupov, i cili ishte ndër reaguesit e parë në termocentralin bërthamor, pasi pa miniseritë në TV nuk mund të duronte dhimbjen e kujtimeve dhe vendosi të vrasë veten, duke u hedhur nga çatia e një ndërtese më 15 korrik 2019. Për punën e tij ai kishte marrë lavdërime dhe medalje, por më pas ai përfundoi në varfëri (pas dhjetë vjet pritje atij i ishte refuzuar gjithashtu një shtëpi e lirë, të cilën ai e konsideroi të drejtë dhe vlerësim për sakrificën e tij).
Personazhi i trilluar
Personazhet që shfaqen në serial të gjithë korrespondojnë me njerëz të vërtetë. Nga ana tjetër, Ulana Khomyuk, fizikania bërthamore e luajtur nga Emily Watson, është një personazh i shpikur si homazh ndaj botës shkencore që dha kontribut në vitet pas aksidentit.
Theksi rus
Fillimisht, krijuesi dhe skenaristi i serialit, Craig Mazin, donte që personazhet të flisnin me një theks rus, por ideja më vonë u “braktis”, për të mos u krijuar më tepër vështirësi aktorëve.
Regjistrime origjinale
Regjistrimet që dëgjohen gjatë episodeve – siç janë lajmet në TV, dialogët përmes radios ose thirrjet e urgjencës – janë origjinale të kohës.
Një histori e vërtetë (dramatike)
Historia e vajzës së Vasilij Ignatenko (një nga zjarrfikësit e parë që nxituan në fabrikë, luajtur nga Adam Nagaitis) dhe gruas së tij Luydmila (Jessie Buckley) e cila vdiq katër orë pas lindjes është fatkeqësisht e vërtetë: Dëshmia e Luydmila u mor nga shkrimtarja bjelloruse, Svetlana Aleksieviç.
Turizmi në vendet e katastrofës
Pas transmetimit të miniserive, rezervimet për të vizituar zonën e termocentralit në Çernobil janë rritur. Ndërkohë ka edhe nga ata turistë që kanë zgjedhur të shohin vendet në Lituan ku u xhiruan skenat e “Çernobilit”.