Një ish-punonjës policie ka mbetur i vrarë mesditën e sotme rreth orës 14:35 pranë shkollës “At Zef Pllumi” në zonën e Selitës në kryeqytet.
Arben Bilali, 50-vjeç, është qëlluar me tre plumba, një prej të cilëve në kokë dhe dy të tjerë në trup, ndërsa në drejtim të tij mësohet se është qëlluar 7 herë.
Edhe pse është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit, Bilali nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.
Arben Bilali ishte banor i zonës së Selitës.
Arben Bilali është i dyti në radhët e familjes Bilali që vritet me armë zjarri, ndërsa pista kryesore dyshohet të jetë hakmarrja.
Ndaj tij u organizua një atentat edhe në maj të vitit 2010, ku mbeti i plagosur me disa plumba, por që arriti të mbijetonte.
Po në atë vit, në muajin korrik mbeti i vrarë vëllai i tij, Leonard Bilali, ish-mundës i Dinamos.
Ai u qëllua me katër plumba teksa hynte në një market të zonës, nga një person që kishte ndjekur lëvizjet e tij për të paktën 1 orë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ai u vra pak ditë pasi ishte kthyer nga Italia, pikërisht në të njëjtin vend ku mbeti i vrarë sot (30 janar), Arben Bilali, ish-polic i Forcave Speciale.
Jo zyrtarisht hetuesit thonë se ish-efektivi i policisë Arben Bilali ishte dyshuar për një vrasje vite më parë, por për autorësinë e tij nuk ishin gjetur prova asnjëherë.