Në vitin 2018, prokurorët shqiptarë ndërprenë një hetim për pastrim parash kundër Ylli Didanit. Më pak se dy vjet më pas, ai u arrestua në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për trafikim sasish të konsiderueshme kokaine në Evropë dhe pastrim parash.
Nga Besar Likmeta, Edmond Hoxhaj, Përparim Isufi / BIRN
Në pamje të parë, banori i Miçiganit, Ylli Didani ishte një biznesmen i suksesshëm me aksione në kompani në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri dhe Kosovë, ku ai gëzonte një marrëdhënie biznesi me një ish-shefin e eskortës për ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
Megjithatë, autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se kjo ishte thjesht një fasadë.
Sipas agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, 43-vjeçari Didani bënte një jetë të dyfishtë, gjoja duke gërmuar për minerale, ndërkohë që në fakt kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pastronte të ardhurat e paligjshme të drogës.
Sipas autoriteteve trafiku i drogës është burimi kryesor i “parave të pista” që depërtojnë në ekonominë e dobët të Shqipërisë, duke financuar korrupsionit politik, ndikimin e paligjshëm në zgjedhje dhe mosndëshkueshmërinë nga prokuroria.
Por ndërsa një hetim gjashtë vjeçar në SHBA solli arrestimin e Didanit më 1 prill në Karolinën e Veriut, prokurorët në vendlindjen e tij në Shqipëri, ndërprenë një hetim ndaj tij në vitin 2018, që lidhje me transferta të dyshimta bankare prej qindra mijëra dollarësh.
Çështja u mbyll nga prokurori, Alket Mersini i Prokurorisë së Tiranës, i cili u shkarkua në dhjetor të vitit të kaluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – një organ i pavarur i krijuar për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili vendosi që Mersini nuk kishte arritur të justifikonte burimin e pasurisë së tij.
Nëpërmjet telefonit, Mersini i tha BIRN: “Nuk e mbaj mend rastin. Kam marrë ca kohë pushim.”
Një avokate që përfaqëson Didanin në SHBA nuk ishte e arritshme për koment.
“Kjo është shtëpia jote”
DEA thotë se Didani drejtonte një organizatë që merrej me “trafik kokaine në shkallë të gjerë dhe pastrim parash”, e cila projektoi një dron amfib për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe kishte financime nga një biznesmen në fushën e telekomunikacionit në Miçigan, Marty Tibbitts deri kur Tibbitts vdiq pas rrëzoi avionin e tij luftarak të epokës së Luftës së Ftohtë në Uiskonsin në vitin 2018.
Vetëm gjatë dy viteve të fundit, autoritetet në SHBA dhe Evropë kapën rreth 3.5 tonë kokainë, e cila dyshohet se është trafikuar nga grupi i Didanit nga Amerika e Jugut në Bilbao në Spanjë, në portin holandez të Roterdamit dhe në Antwerp të Belgjikës.
Ai tani përballet me akuza për komplot për shpërndarje të substancave të kontrolluara, komplot për shpërndarjen e substancave të kontrolluara në bordin e një anijeje nën juridiksionin e SHBA si dhe për pastrim parash.
Sipas DEA-s, organizata e Didanit kishte lidhje në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Shqipëri, Turqi, Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Që në vitin 2015 dhe 2016, autoritetet amerikane e dinin se kishin zbuluar diçka të rëndësishme kur gjatë dy kontrolle të veçanta të iPhone-it të Didanit gjatë kontrolleve kufitare në aeroportin O’Hare të Çikagos u gjetën fotografi ku shfaqeshin tufa të mëdha dollarësh amerikanë dhe Didani që mbante armë zjarri.
Dy nga fotot kishin të vulosur elektronikisht datën dhe vendndodhja gjeografike e tyre u përcaktua si një apartament në qarkun Makomb, në Miçigan. Apartamenti në atë kohë ishte marrë me qira nga një person i cili në dokumentet gjyqësore është identifikuar si CC-1. Hetuesit e panë Didanin në këtë apartament në disa raste gjatë verës së vitit 2016.
Sipas DEA-s, Didani dhe një kontakt i cili në iPhone-in e tij ishte regjistruar me emrin “Dan Dan” – për të cilin agjentët thonë se është CC-1 – shkëmbyen mesazhe Viber në korrik dhe gusht 2016, duke diskutuar transferta të paligjshme parash, marrje pakosh me FedEx, falsifikim pasaportash dhe shitje të sasish të mëdha kokaine.
Didani gjithashtu dërgoi fotografinë e një çante sporti me ngjyrë të kuqe, e cila brenda kishte pako të shumta në formë drejtkëndore, të mbështjella me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë dhe për të cilat agjenti i DEA-s Brandon Leach tha se ngjanin me pakot një kilogramëshe me kokainë. Fotoja shoqërohej me mesazhin, “Kjo është shtëpia jote” dhe agjenti Leach i DEA-s tha se kjo donte të thoshte se fitimet nga shitja e një sasie të tillë kokaine do të ishin mjaftueshëm për të blerë një shtëpi.
“100 milionë euro”
Më 19 korrik 2016, Didani i shkroi CC-1 duke kërkuar që të takohej me “Marty-n sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ai më pas dërgoi një fotografi të ekranit të telefonit të tij Blackberry duke treguar një bisedë mbi gjetjen e dikujt për të ndihmuar në transferimin e “100 milion eurove” nga Deutsche Bank në Frankfurt, Gjermani, në një bankë në Dubai, me kusht që banka mos ta raportonte transaksionin.
DEA e identifikoi “Marty”-n si bashkë-konspiratorin CC-2. Dokumentet e gjykatës shqiptare shkojnë më tej, duke e identifikuar atë si biznesmenin Marty Tibbitts nga Miçigani.
Tibbitts ishte drejtori ekzekutiv i një kompanie telekomunikacioni të quajtur ‘Clementine Live Answering Servic’e dhe themeluesi i Muzeut të Trashëgimisë Botërore të Aviacionit në Miçigan.
Si pjesë e hetimit të pastrimit të parave, DEA zbuloi se në vitin 2016 dhe 2017, CC-1 mori një sërë çeqesh të mëdha nga Tibbitts të cilat arrinin vlerën e 860,000 dollarëve, të cilat ai i arkëtoi në një dyqan ari dhe një dyqan pengjesh.
“Nëpërmjet trajnimit dhe përvojës, jam i ndërgjegjshëm që trafikantët e drogës shpesh përdorin këto lloje biznesesh, në vend të bankave zyrtare, për të pastruar të ardhurat e drogës në një përpjekje për të mbetur të pazbuluar nga agjencitë ligjzbatuese”, shkroi agjenti i DEA-s, Leach, në deklaratën e tij hetimore.
Dy çeqet e para, të cilat arrinin në një total prej 100,000 dollarësh, u arkëtuan nga CC-1 më 9 qershor 2016, në të njëjtën ditë kur fotot e tufave të parave – të gjetura më pas në telefonin e Didanit – u shkrepën në apartamentin e CC-1.
Më pas, më 21 dhjetor 2017, pasi mori paratë e çeqeve nga Tibbitts, CC-1 fluturoi me të drejt Uashingtonit për të takuar Didanin, duke ia dhënë atij paratë e thata atë mbrëmje.
DEA thotë se, përveç dorëzimit të parave të thata në Uashington, Tibbitts ishte i përfshirë në një sërë transfertash me vlerë 1.8 milion dollarë nga një bankë në Tiranë tek një anëtar i organizatës së Didanit me qëllim financimin e trafikut të kokainës.
Hetimi në Shqipëri ndërpritet
Në Shqipëri, Tibbitts vizitoi një degë të Raiffeisen Bank në Tiranë më 5 shtator 2017, duke thënë se donte të transferonte 500,000 dollarë nga llogaria e tij bankare në SHBA për të investuar në Shqipëri, ndoshta në telekomunikacion, prodhim, peshkim…
Transferta u realizua të nesërmen; paratë iu transferuan Didanit në formën e një huaje 12-mujore pa interes, sipas një marrëveshjeje të noterizuar midis të dy burrave.
Ditë më vonë, Didani bëri dy tërheqje që arrinin në total 65,000 dollarë nga Raiffeisen Bank. Ai gjithashtu nënshkroi një deklaratë noteriale se ai do të blinte një anije peshkimi me vlerë 500,000 dollarë nga një shtetas shqiptar me emrin Ahmet Masha, i cili, sipas prokurorëve shqiptarë, në vitin 2015 është dënuar për kontrabandë nafte.
Dy javë më vonë, më 21 shtator 2017, Prokuroria e Tiranës lëshoi një urdhër sekuestrimi për llogaritë bankare të Didanit dhe depozitën e sigurisë në Raiffeisen Bank në Tiranë, pas një referimi të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
I kontaktuar nga BIRN, Masha mohoi të ishte përfshirë në ndonjë transaksion me Didanin, duke thënë se ai e kishte takuar atë shkurtimisht në vitin 2017.
“E takova vetëm për dy orë në plazhin e ‘Il Gambero’”, tha ai, duke iu referuar një restoranti me çadra dhe shezlone në Gjirin e Lalzit në bregdetin shqiptar të Adriatikut.
Duke folur në kushte anonimiteti, një prokuror shqiptar i cili kishte dijeni mbi këtë çështje, tha që Masha kishte udhëtuar jashtë vendit me Didanin tre herë. Sipas prokurorit, varka që Didani tha se do të blinte për gjysmë milioni dollarë vlente vetëm një milion lek.
BIRN mësoi gjithashtu se Didani ishte shënjestra e një urdhri sekuestroje nga Prokuroria e Vlorës për 531,000 dollarë.
Muaj më herët, në qershor 2017, Tibbitts nënshkroi një deklaratë noteriale për blerjen e një prone nga një shqiptar i quajtur Amarildo Ademi për 1.3 milionë dollarë, shumë e cila do të paguhej me këste.
Më 19 qershor, Tibbitts transferoi këstin e parë me vlerë 329,907 dollarë në llogarinë e Ademit në Credins Bank. Prokurorët shqiptarë thonë se muajin tjetër, 250,000 dollarë nga këto para u transferuan nga Ademi tek Didani. Në gusht, Tibbitts bëri një tjetër derdhje prej 499,915 dollarësh në llogarinë e Ademit.
Më 22 nëntor 2017, prokurori i Tiranës, Ylli Pjeternikaj lëshoi një urdhër duke e sekuestruar llogarinë e Ademit dhe regjistroi çështjen penale nr. 9539 të vitit 2017, për pastrim parash.
I kontaktuar nga BIRN, Ademi tha se nuk kishte më kontakt me Didanin. “Unë jam një biznesmen dhe kam qenë i përfshirë në transaksione pronash”, tha ai në telefon. “E kam mbyllur këtë çështje.”
Në fakt, kur Pjeternikaj u transferua nga Prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme në qershor 2018, çështja i kaloi kolegut të tij, Mersini, i cili zyrtarisht e ndërpreu hetimit më 31 korrik 2018.
Sipas regjistrave të biznesit, Didani kishte dy kompani të regjistruara në SHBA, njëra prej të cilave është mbyllur, dhe lidhje me dy firma në Shqipëri, të dyja të regjistruara në qytetin jugor të Selenicës.
Ai ishte gjithashtu aksioner në dy kompani të regjistruara në Kosovë në fillim të vitit 2018 – Urban-F Group Sh.p.k dhe Urban-FA Group Sh.p.k. Bashkë-aksionerët e tij në kompani përfshinin Arif Ahmetxhekaj, shefin e eskortës të Ramush Haradinajt kur ky i fundit ishte kryeministër.
Urban-F Group Sh.p.k kishte një kapital aksioner prej 1.5 milionë eurosh dhe Didani kishte investuar 450,000 euro në kompani. I kontaktuar nga BIRN, Ahmetxhekaj tha se ai nuk kishte pasur asnjë kontakt me Didanin që kur mbylli kompaninë në vitin 2018, pasi emrat e aksionerëve u publikuan në media.
“I kemi ndërprerë moti kontaktet, që kur na kanë nxjerrë në lajme, nuk kemi më kontakte,” tha Ahmetxhekaj.
Droni i drogës “Siluri”
Me sa kuptohet nga hetimet e DEA-s, Tibbitts nuk e kufizoi veten në financimin e operacioneve të Didanit.
Ai ndihmoi gjithashtu në hartimin e planeve për një dron amfib parazit – të krijuar për të mbajtur drogë dhe për t’u bashkangjitur në trupin e një anije mallrash që udhëtonte nga Amerika e Jugut në Evropë. Plani ishte që droni të shkëputej nga anija rreth 100 milje larg brigjeve të Evropës dhe të transmetonte një sinjal që mënyrë që trafikantët të mund ta lokalizonin atë.
Midis majit 2016 dhe qershorit 2018, hetuesit përgjuan biseda të shumta midis Didanit dhe Tibbitts ,në të cilat ata diskutonin pagesën që do t’i bëhej një kompanie për zhvillimin e dronit, të cilit ata i referoheshin si “Siluri”. Sipas komunikimit të tyre, kompania ndërtoi një prototip, për të cilin u pagua 12,000 dollarë, por hetuesit thonë se firma nuk kishte njohuri për qëllimin për të cilin do të përdorej droni.
Projekti u ndal pasi Tibbitts, i cili kishte komunikuar me kompaninë me emrin Dale Johnson, vdiq në korrik 2018 kur avioni i tij britanik nga periudha e pasluftës ‘de Havilland DH 112 Venom’ – që ai po pilotonte, u përplas në një hambar menjëherë pas ngritjes në Uiskonsin.
Tashmë i mbetur pa kryefinancierin e tij, Didani nisi një kërkim ndërkombëtar për një zëvendësues, nga Spanja në Dubai, e nga Ekuadori në Republikën Dominikane.
Më 8 shkurt 2019, ndërsa ishte gati të merrte një avion për në Ekuador, Didani u arrestua në aeroportin Schiphol në Amsterdam nën dyshimin për pastrim parash. Ai u la i lirë një javë më vonë pasi pagoi një gjobë dhe vazhdoi udhëtimin e tij.
Sipas DEA-s, në Ekuador ai pati disa takime për të diskutuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës në Evropë përmes kompanive të import-eksportit dhe kontejnerëve të transportit.
Nga atje, ai fluturoi për në Dubai më 22 korrik 2019. Hetuesit qenë në gjendje të konfirmonin se organizata e Didanit filloi të merrte shuma të mëdha parash nga një financues i ri për të mundësuar importet e kokainës nga Amerika e Jugut në Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Më 11 gusht 2019, autoritetet holandeze në portin e Roterdamit sekuestruan 753 kilogramë kokainë në një kontenier me banane që vinte nga Ekuadori; më 22 shkurt 2020, përsëri në Roterdam, autoritetet portuale zbuluan në një anije mallrash 16 çanta të mëdha sportive që përmbanin 644 kilogramë kokainë.
Autoritetet i lidhën të dyja këto ngarkesa me Didanin. DEA qe gjithashtu ishte në gjendje ta lidhte organizatën e tij me 1,000 kilogramë kokainë të kapur më 7 prill 2020 në Holandë, e cila ishte dërguar nga porti i Paitas në Peru, dhe një dërgesë të dytë prej 1,000 kilogramësh të kapur në portin Spanjoll të Bilbaos dy javë më vonë.
Në total, kokaina e kapur kapte një vlerë tregu me shumicë prej më shumë se 80 milionë eurosh.