Bota Putin humbet luftën e spiunazhit në Çeki, i refuzohet kontrata miliarda euro...

Putin humbet luftën e spiunazhit në Çeki, i refuzohet kontrata miliarda euro në sektorin bërthamor

Rusia dhe Republika Çeke janë përfshirë së fundmi në një krizë diplomatike për shkak të zbulimit nga Praga të një njësie spiunazhi rus që akuzohet se ka kryer disa operacione, mes të cilave edhe hedhja në erë në vitin 2014 e një fabrike municioni. Pas kësaj akuze, Kremlini mori vendimin e paprecedentë të dëbimit të të paktën 20 diplomatëve çekë, ndërkohë që Praga largoi 18 diplomatë. Hetimet nga pala çeke kanë zgjatur për 7 vjet dhe sipas “Reuters” është arritur të provohet lidhja me agjencinë ruse të zbulimit, GRU me disa akte të kryera në vite, jo vetëm në Çeki.

“Praga është një stacion kyç për shërbimet ruse të inteligjencës sepse ka një qeveri gjysmë miqësore me Rusinë dhe vendndodhja e saj brenda BE-së e bën atë një nyje logjistike të shkëlqyer për operacione”, citon agjencia “Reuters” një zyrtar të shërbimeve inteligjente të një vendi të Europës Qendrore që gjurmon operacionet ruse.

Sipas të njëjtit burim, Praga mund të quhet stacioni më i rëndësishëm operacional në Europë pas Berlinit dhe shifra e pranisë diplomatike ruse në kryeqytetin çek jep një ide në këtë kuadër. Në Çeki, Rusia mban 120 vetë personel diplomatik, më shumë se dyfishi i personelit të atashuar në vende me madhësinë e Çekisë. Pasoja e kësaj krize është edhe më e madhe sesa kaq. Pala çeke thuhet se ka ndaluar një kompani ruse nga e drejta për të marrë pjesë në garën për mirëmbajtjen e centralit bërthamor të Dukovany-t, një kontratë që raportohet se shkon në miliarda euro.

“Humbja e kaq shumë oficerëve të shërbimit inteligjent do të reduktojë aktivitetin dhe kapacitetet e rusëve për momentin. Dhe Putin do të shohë humbjen e miliarda eurove në kontrata nga sektori bërthamor. Ai projekt ishte kritik jo vetëm për të ardhura për Rusinë, por për ndikimin mbi çështjet lokale që rrjedhin prej saj. Ky është një dënim real për rusët por mbetem skeptik se kjo lloj gjëje do të ndikojë sjelljen e tyre ndonëse është e mundshme se disa oficerë shërbimi do të duhet të shpjegojnë sesi u kapën në një zonë kaq kritike dhe të ndjeshme si Çekia”, është shprehur një burim i NATO-s.