Kryesore Meta flet për sfurqe dhe kosore: Nëse Rama merr 71 mandate do...

Meta flet për sfurqe dhe kosore: Nëse Rama merr 71 mandate do i jap dhe mandatin e Presidentit

Presidenti Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp ditën e mërkurë deklaroi se është i gatshëm të largohet nga detyra nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.

Kreu i Shtetit gjithashtu kërcënoi kryeministrin që të mos prekë votën e lirë pasi do të ketë pasoja.

“Policia të bëjë detyrën. Do të çoj një listë të personave në kërkim, të mbrojtur nga policia. Shteti i kapur nga mafia të bëjë detyrë. Nuk dua asnjë pikë gjaku dhe loti të derdhet për zgjedhje. Nëse Rama merr 71 mandate në mënyrë demokratike do t’i jap dhe mandatin e presidentit. Ama nëse prek dhe një votë nuk do të gjejë vrimë ku t’i futet”, u shpreh Meta.

Meta komentoi edhe incidentin e paradites së sotme në Fier, ku anëtarë të LSI u konfliktuan me policinë bashkiake pasi kërkonte që të hiqeshin banderolat e kësaj force politike. Presidenti tha se kërkesa për të hequr banderolat e LSI është provokim nga kryesocialisti Edi Rama që sot do të jetë në Fier.

Meta e quajti këtë rast si një incident të turpshëm dhe banal, ndërsa theksoi se kryetari i Bashkisë së Fierit duhet të shkojë në burg.

“Ruçi provokator i ndyrë që përpiqet të prishë zgjedhjet të dielën. U bëni thirrje grave, burrave të Fierit, të mprehin sfurqet, kosoret, lopatat dhe t’i kenë gati për ditën e diel nëse preken votat. Kjo është çështja. Ata e bëjnë që të dalin militantët e LSI dhe të bëhet sherr, të krijohet ideja që LSI-ja me porosi të presidentit të prishë mitingun e socialistëve”, tha Meta.

Duke folur për incidentin e Kavajës ku u plagos me armë sekretari i PD në këtë qytet, kreu i shtetit u shpreh se ngjarja ishte nxitur nga Kryeministri.

“Shumë mirë pas ulërimave të mia dje që arrestove 3 rrugaçë në Kavajë. Ti më akuzove mua që nxis dhunën në Kavajë. Ndërkohë që i dërgove ti dhe shtabi yt kriminal në Kavajë këta 3 horra, 2 prej të cilëve punojnë në Bashkinë e Kavajës dhe tjetri i lidhur me narkotrafikantë, se ti vdes për narkotrafikantë. Unë s’kam asnjë lidhje me këta. Këta i nxit Edi Rama. Dhe këta nuk kanë vajtur për motive të dobëta. Ti lërë policia këto lojëra. Asnjeri që do përfshihet në krim zgjedhor nuk do ketë më vend në administratën e Shqipërisë pas 25 Prillit. Do ketë ligj të posaçëm. Çdo njeri që shkel Kodin Zgjedhor nuk do ketë më vend në administratën e Shqipërisë”.