Anijet dhe helikopterët që kërkojnë nëndetësen e zhdukur pranë ishullit të Bali garojnë me kohën, ndërsa anëtarët e ekuipazhit kanë mbetur me oksigjen për një maksimum prej dy ditësh.
Shefi i Marinës Yudo Margono ka paralajmëruar publikun se ka oksigjen të mjaftueshëm në nëndetëse vetëm deri të shtunën.
Nëndetësja, e cila ka 53 anëtarë të ekuipazhit, mori pjesë të mërkurën në një stërvitje ushtarake në veri të ishullit të Bali.
Një kërkim ajror gjeti një njollë vaji afër vendit të nëndetëses, e cila mund të tregojë dëmtimin e anijes ose një sinjal nga ekuipazhi.
Admirali Yudo tha se autoritetet kishin gjetur një objekt me “forcë të lartë magnetike” që notonte në një thellësi prej 50 deri në 100 metra.
Marina shtoi se ishte gjithashtu e mundur që “gjatë zhytjes statike kishte një problem dhe kontrolli ishte humbur”, që do të thoshte që procedurat e urgjencës “nuk mund të kryhen dhe anija mund të bjerë në një thellësi prej 600-700 metra”.
Presidenti indonezian Joko Widodo u bëri thirrje qytetarëve të luten që nëndetësja të gjendet.
“Ushtria, marina dhe shërbimi kombëtar i shpëtimit po punojnë së bashku me institucionet e tjera për kërkimin dhe shpëtimin. Prioriteti ynë është siguria e 53 anëtarëve të ekuipazhit”, tha Widodo.
Malajzia dhe Singapori dërguan anije dhe Australia tha se ishte e gatshme të “ndihmonte në çdo mënyrë”.
Nëndetësja KRI Nanggala-402 peshon 1,395 tonë dhe është ndërtuar në Gjermani në 1977.
Ajo u bashkua me flotën indoneziane në 1981 dhe iu nënshtrua një riparimi dy-vjeçar në Korenë e Jugut, i cili përfundoi në 2012.
Më parë, Indonezia kishte një flotë prej 12 nëndetësesh që bleu nga Bashkimi Sovjetik dhe patrulloi me ta ujërat e arkipelagut të saj.
Sidoqoftë, tani ajo ka një flotë prej vetëm pesë, duke përfshirë dy nëndetëse që bleu nga Gjermania dhe tre anije më të reja të Koresë së Jugut.
Indonezia po përpiqet të modernizojë aftësitë e saj mbrojtëse, por disa nga pajisjet e saj janë të vjetra dhe ka pasur aksidente fatale në vitet e fundit.