Opinione Ku humbi “Republika e re”

Ku humbi “Republika e re”

Në fakt, vëmendja politike e kësaj vere të nxehtë, nga qeverisja është shpërngulur tek opozita. Megjithëse e mësuar të ketë herë pas here shpërbërje të saj, kjo që po ndodh kësaj herë duket se është më e madhe se zakonisht dhe  në mos në të tashmen e afërt, ajo do të ketë pasojat e saj. Opozita i është futur një loje të rëndë, që, veç veçorive të tjera, ka dhe përplasjen brenda llojit, që është më e furishme se sa jashtë saj.

Nga njëra anë është Basha, lideri i deleguar katër vite më parë nga familja Berisha, që kërkon tani të zgjidhet, i cili,  i fryrë nga madhështia e rreme, e rënë mbi supet e tij, mendon se është çështje nderi të ruajë për vete tonin e një tirani, duke kërkuar ndihmën e lirisë, të cilën, jo shumë larg, e ka gjakosur.

Nga ana tjetër është Selami, njeriu i përbuzur kur ishte de jure kryetar nga ata që nuk donin të shihnin ndryshimin, tashmë i spërkatur me një pluhur perëndimor atllantik, që, duke u futur në këtë lojë të hallakatur, sikur mezi ta kishte pritur, dëshmohet aq i pakujdesshëm, sa që pas vetes, jo shumë larg, do të lërë hijen e dështimit të paralajmëruar, jo se nuk ka të drejtë, por se nuk ka forcën e duhur për të bërë ndryshimin e atyre që nuk duan të ndryshojnë.

Të ndryshosh PD-në, do të thotë që në fillim të ndryshosh Berishët, krejt si një familje- klan, dhe, për deri sa nuk mund të ndryshosh ato, nuk mund të ndryshosh asgjë tjetër. PD ka të hapur vetëm një derë, nëpër të cilën mund të futesh për të qenë lider, qoftë edhe vetëm i shpallur, ajo derë është sa në qendrën e Tiranës, sa në një vilë në Lalëz. Selami nuk e ka mësuar kurrë atë portë e nuk do e mësojë.

Në mesin e tyre janë të zhgënjyerit, të rrënuarit e mëdhenj, të cilët, nëse do të ishin rishtas deputetë, do të kishin heshtur, si kanë heshtur në katër vite dhe që, edhe po të rebelohen, nuk do të mund të bëjnë asgjë tjetër, veçse një dezertim nga detashmenti i krijuar 27 vite më parë. Këtij detashmenti i kanë shërbyer besnikërisht; kanë qenë pjesë e flakjes jashtë të shumë figurave të tjera; i kanë përqeshur ato dhe kanë ngrohur duart në sherrin e të mëdhenjve, kur ata vetë ishin të vegjël dhe kanë pritur radhën për të qenë “senatorët“ e përjetshëm.

Të mbetur jashtë, ata u rebeluan, por kjo është një përkohshmëri, e cila nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë po ndodh: as me vizionin që mungon, as me idealistët që janë zhdukur, as me oligarkët e politikës ku ishin pjesë, as me tatimpagesit e mëdhenj ku janë fshehur, as me vilat që kanë ngritur. Është thjeshtë një sherr brenda familjes, ku pjesa e mbetur nënshiun e mospërfilljes,kërkon të jetë edhe një herë zot në një shtëpi që e kanë zaptuar të tjerët. Dhe nuk do e lëshojnë.

Përplasjet sa vijnë e zbuten, tallazet e forta po kthehen dalngadalë në hije të tyre. E vetmja gjë që u zhduk përfundimisht është Republika e re, proklamata më e përditshme e opozitës, që nga dita kur ajo vendosi të futet në një çadër meskine dhe deri në ditën që doli prej saj e përmjerrur.

Vërtet, ku është republika e re e Bashës?

Të kërkosh një gjë që nuk ishte kurrë është e vështirë, mision i pamundur.

Por tani, as në letër nuk është më. Ajo është harruar edhe nga vetë krijuesit e saj, është flakur si një dështim mizor dhe, për më tepër, duket se po i ndjek pretenduesit e fronit demokratikas, si një mallkim.

Republika e re, si term politik i shprehur nga Basha, lindi pas futjes në një çadër groteske të asaj pjese të opozitës që në katër vite më shumë kishte ndjekur linjën ajrore Tiranë – Amsterdam, se sa seksionet e partisë ku e kishin deleguar të drejtonte. Basha, duhet pranuar, deri në 18 shkurt, më mirë njihte stjuardesat e avionëve se sa njerëzit pranë tij. Duke e shpërngulur punën në duart e një rrethi familjar, gjithnjë sipas modelit Berisha, ai u njoh më shumë si kryetari që fshihet pas Kunatit, se sa lideri që ishte pritur të shfaqej.

Befas u kujtua se duhej bërë diçka dhe kjo diçka duhej të kishte një emër: “Republika e Re”. As ai vetë nuk e dinte dhe nuk e di as tani se çfarë do të ishte kjo Republikë, e cila do të kishte vetëm diçka të qartë: ai do të ishte kryeministri. Thirrja e tij qesharake se „ jam gati të ju udhëheq, a jeni gati më të ndiqni“ , sikur të ishte Moisiu i librit të shenjtë në shkretëtirë, më shumë se gjithçka tjetër, ISHTE një thirrje megollamane, që të kujtonte levantinët e Konicës.

I mësuar të bëjë pasuri pa punuar, të zgjidhë hallet e tij vetjake përmes një tarafi kunatian, të shesë gjithçka, deri edhe nderin e tij politik, për të vënë pasuri si të mundet e nga të mundet; i panjohuri që bëhet qendra e një rrethi ndaj tij, duke e ndjerë se po shkonte drejt humnerës dhe kjo humnerë do të shfaqej me humbjen e zgjedhjeve, çka ishte një siguri matematike, ai tentoi të krijonte slloganin e tij për një Republikë të Re, ku ai do të ishte lideri dhe të tjerët grigja që do e ndiqte në një rrugëtim drejt askundit.

Republika e Re nuk u ngjis , sepse nuk kishte askush në PD këllqe ta bënte këtë. Asnjë nga forumet e saj drejtuese nuk u mblodh , të paktën një herë, për të parë nëse kjo po ngrihej mbi një bazament apo, ashtu, bashianshe, çka do të thotë shkel e shko; askush nuk e dinte se ku mbështetej kjo republikë dhe kush do e ndërtonte atë; ajo që thuhej në mëngjes në çadër nuk ishte e thënë në darkë; dhe surealja nuk do të mund të bëhej e prekshme kur as ai vetë, që e kishte gjetur këtë emërtesë, nëse nuk ia kishin ofruar, nuk e dinte.

Shembja e Republikës së Re, të cilën sot nuk e përmend askush në PD do të ishte krejt e mjaftueshme për një forcë properëndimore që lideri i saj , dhe, sidomos krijuesi i kësaj teze, të largohej përfundimisht nga trupa drejtuese. Kjo nuk ndodhi e nuk ndodhi për tre shkaqe kryesore:

1.Republika e Re nuk ishte një krijesë që mund të lindte, sepse, e thirrur në ndihmë nga një verbëri politike, ajo ishte e destinuar të lindte e tillë. Krijesat e verbëra politike kanë afatin e shkurtër të ekzistencës.

2.PD nuk është, nuk ka qenë dhe kështu si po rrjedhin gjërat, nuk do të mund të bëhet kurrë një forcë perëndimore. Ajo në fakt është një bashkësi e mendësisë anadollake, e veshur me një lëvizje haxhiqamiliste, në të cilat vlerat delirante të politikës së Njëshit janë mbi gjithçka tjetër.PD, edhe tani, me këto paçavuret e takimeve mes kandidatëve për kryetar, dëshmon se nuk shkon drejt reformimit, por, edhe më tej, drejt deformimit të saj. Një krijesë që rend kështu, e turbullt dhe amorfe, as nuk mund të krijojë një koncept të ri politik, dhe , duhet saktësuar, asnjë Republikë të Re.

Republika e Re , si term dhe praktikë partiake, i sherbej klanit të Bashës, tmerrësisht shpejt, për të bërë listën e deputetëve sipas një nocioni të paparë, gjysma – gjysma, pak sot e pak nesër, si të ishte një lojë qesharake, ose, çka është më e mundshme, duke pritur se kush do e ngrinte pazarin më lart.

3.Vetë Basha nuk është një lider me tipare perëndimore. Ai vërtet ka studiuar në një shtet të zhvilluar, por kjo nuk e bën atë perëndimor. Ai ka zhvatur prej atij vendi çka ka mundur të marrë, por mendësia e tij ndaj vendit, kombit e politikës, u shfaq së pari në Kosovë, ku ishte pjesa e njohur e hetimeve ndaj një lufte të drejtë, përmes së cilës, edhe me procese të montuara, duhej të dënoheshin çlirimtarët e saj; dhe, ndoshta pikërisht për këtë arsye, atë e zhvendosën në Shqipëri, ku gjithçka e tij u mvesh me tiparet më të shëmtuara të një elite oligarkike, pushtetore, vasale dhe shtetshitëse.

Republika e Re kishte jehonën e shkurtër dhe tani, edhe ata që e krijuan si term, kanë turp ta përmendin.

Ndaj ajo humbi.

E ngritur mbi rërë, ajo nuk mund të ishte aspiratë.

Dhe nuk u bë e tillë.

Bedri Islami – DITA