Partitë politike refuzuan të zbatonin detyrimet ligjore për deklarimin në kohë reale të shpenzimeve të fushatës duke minuar transparencën dhe kontrollin e financave të tyre, ndërkohë që ekspertët propozojnë ngritjen e mekanizmave të kontrollit dhe penalitete detyruese.
Nga Ornela Manjani / BIRN
Tre ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit, dy eksperte financiare të kontraktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbërritën në sheshin “Nënë Tereza” të mbushur me simpatizantë të Partisë Socialiste për të monitoruar mitingun përmbyllës në Tiranë.
Pasi numëruan ingranazhet e makinerisë elektorale, që nisin me ekranet LED dhe përfundojnë me spektaklin piroteknik të fishekzjarreve, ekspertet u përpoqën të hartonin një raport financiar duke u bazuar te çmimet e tregut.
“Theksojmë se kostot e mësipërme janë bërë me një përllogaritje të përafërt bazuar në çmimet e tregut. Me marrjen e një informacioni më të saktë nga financa e Partisë Socialiste do të bëhet një përllogaritje në bazë të dokumentave dhe të do të pasqyrohet në raporton përfundimtar,” shkruajnë ekspertet financiare.
Raporti i ndërmjetëm i monitorimit, i depozituar në KQZ llogarit se mitingu final i kushtoi Partisë Socialiste rreth 4 milionë lekë. Vetë PS e ka deklaruar mitingun e 22 Qershorit në sheshin “Nënë Tereza” në vlerën e 1.4 milionë lekëve-thuajse tre herë më pak se ekspertet e KQZ-së.
Monitorimi në kohë reale i shpenzimeve të fushatës elektorale është konsideruar një hallkë e rëndësishme për transparencën dhe kontrollin e financimit të partive politike. Për të përmirësuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me ndihmën e Këshillit të Europës futi në forcë një metodologji të re të raportimit financiar të partive politike, duke i detyruar ato të deklarojnë në kohë reale shpenzimet e tyre.
Megjithatë, ekspertët financiarë u përballën me vështirë të shumëfishta në dokumentimin e kostove të vërteta të fushatës së vitit 2017.
Eleonora Olli, anëtare e Këshillit Drejtues dhe zv.kryetare e Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, IKEA i tha BIRN se procesi i monitorimit u shoqërua në praktikë nga një sërë problemesh.
“Ne u emëruam me vonesë për monitorim, vetëm dy javë para zgjedhjeve. Bashkitë kthyen përgjigje me vonesë për vendndodhjen e zyrave elektorale. Partitë politike nuk dhanë përgjigje zyrtare shkresore për listën e aktiviteteve elektorale që do kryenin dhe kjo e vështirësoi monitorimin,” tha Olli.
Raportet e ndërmjetme të monitorimit, të publikuara në faqen e KQZ-së përmbajnë të dhëna të mangëta mbi numrin e plotë të aktiviteteve apo të zyrave elektorale që partitë politike morën me qera në kohën e fushatës. Shpenzimet për qiratë apo shërbime të tjera të domosdoshme mungojnë gjithashtu në këto raporte.
Në dy mbledhje të zhvilluara nga KQZ më 16 dhe 23 qershor, ekspertët kontabël u ankuan se partitë politike nuk u vinin në dispozicion faturat në kohë reale për aktivitetet politike. Kjo e vështirësoi monitorimin dhe minoi rritjen e transparencës mbi paratë e shpenzuara nga partitë politike.
Mungesa e transparencës në financimin e fushatës zgjedhore u theksua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR si dhe nga Këshilli i Europës. Sipas tyre, edhe transparenca e donacioneve mbeti e kufizuar.
“Rregullimet e reja të fushatës, në kohë, nuk kishin konsistencë dhe qartësi. Transparenca e financimit të fushatës u zvogëlua nga mungesa e kërkesave të publikimit të partive para ditës së zgjedhjeve,” thuhet në raport.
Partitë politike në shkelje
Vëzhgues dhe ekspertë të zgjedhjeve në Shqipëri konfirmojnë pengesat që hasën ekspertët financiarë në kontrollin e shpenzimeve të fushatës, ndërsa bëjnë përgjegjëse partitë politike për shkeljen e detyrimeve ligjore si dhe të udhëzimeve të KQZ-së për transparencën financiare.
Kristaq Kume, i cili monitoroi qarkun e Durrësit dhe atë të Elbasanit në cilësinë e kryetarit të një grupi vëzhguesish i tha BIRN se udhëzimi i KQZ-së që i detyronte partitë politike të deklaronin çdo shpenzim nuk u zbatua. Kume shtoi se metodologjia e monitorimit në kohë reale parashikon edhe paratë e harxhuara për një gomë apo një fletore, por sipas tij, ekspertët dështuan të mbledhin të dhëna edhe për shpenzime thelbësore.
“Partitë nuk janë të interesuara të deklarojnë ku i marrin dhe si i shpenzojnë paratë. Monitoruesit që të gjithë kanë deklaruar se partitë politike nuk iu përgjigjën kërkesave për deklarimin sipas metodologjisë që ka hartuar Komisioni Qendor i Zgjedhjeve për të deklarur shpenzimet në kohë reale,”tha Kume për BIRN.
I pyetur mbi mundësinë për të kontrolluar të dhënat e deklaruara nga vetë partitë, Kume u përgjigj se: “KQZ nuk është në gjendje që të sjellë të dhëna në lidhje me shpenzimet”.
Njësoj si Kume, edhe drejtoresha ekzekutive e “Albanian Institute of Science”, Aranita Brahaj mendon se transparenca e fushatës elektorale në Shqipëri nuk ka shënuar ndonjë moment progresi.
Duke renditur një sërë mangësish në raportet e monitorimit, Brahaj thekson se nuk ka një detajim më të qartë të të ardhurave të partive apo të shpenzimeve të tyre dhe se sipas saj, marrëveshja mes KQZ-së dhe IKEA-s nuk solli ndonjë kontribut në përmirësimin e procesit.
“Procesi i deklarimit nuk është bërë në kohë reale dhe transparente, nuk kemi qartësi të shpenzimeve dhe të ardhurave, nuk kemi mekanizëm kontrolli dhe verifikimi që monitoron mbi shpenzime dhe dhurime të padeklaruara [të jashtëligjshme],” tha Brahaj.
“Përfundimisht mund të themi se nuk kemi një proces të mirëfilltë deklarimi dhe raportimi sikurse nuk kemi ligj, që rregullon procesin dhe krijon instrumenta dhe mekanizma shtrëngues që garantojnë financim të ligjshëm të fushatave zgjedhore,” shtoi ajo.
Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike i tha BIRN se ata kishin kryer monitorim në shtatë qarqe, ku është konstatuar se të gjitha palët shkelën ligjin.
Krasniqi thekson se grupe “të forta” mbështetëse politike në fushatë operojnë jashtë llogarive zyrtare të partive, por që janë mjaft aktive në shpenzime kolosale elektorale si dhe kanë të dhëna të shumta në tregtimin e votës.
“Mjafton të verifikohen pagesat e shumëfishta për komisionerët në rastet e numërimit të votave për të nxjerrë në pah diferencën e madhe midis asaj që deklarohet dhe asaj që realisht shpenzohet. Gjithashtu, mjafton të lexohet harta e investimeve publike gjatë fushatës dhe deri në tre muaj përpara saj, për të kuptuar sesi buxheti shtetëror vijon të përdoret si buxhet elektoral,” tha Krasniqi.
Aldo Merkoçi i Lëvizjes MJAFT! ngarkon gjithashtu me përgjegjësi partitë politike për refuzimin e deklarimit të shpenzimeve në kohë reale, ndërsa nënvizon se edhe formulari i KQZ-së ka vend për përmirësime.
“Raportimet e partive nuk janë bërë në kohe reale dhe është pranuar nga vetë partitë pasi edhe ato kanë qenë të papërgatitura për këtë situatë. Fakt që ka lënë hapësirë për manipulime të rastit,” tha Merkoçi për BIRN.
Mungesa e mekanizmave të kontrollit
Ndërkohë që shprehin shqetësimin për ngeljen në vendnumëro të transparencës financiare, ekspertët e zgjedhjeve në Shqipëri evidentojnë edhe elemente pozitive, si ai i konsensusit politik të 17 Majit për të minimizuar shpenzimet për fushatë.
Zhdukja e posterave elektoralë nga rrugët dhe qytetet ishte aspekti i dukshëm i kësaj dakordësie.
“Efekti që solli ndryshimi në ligjin e partive për materialet propagandistike bëri atë që në këtë fushatë vendi u çlirua nga ‘mbytja’ që i është bërë mjedisit nga banderotat,” tha Kume për BIRN.
Krasniqi bie dakord se në krahasim me vitet e shkuara, fushata e 2017 ishte më pozitive. Megjithatë, ai thekson se progresi me uljen e shpenzimeve elektorale, deklarimet më korrekte të partive apo kompromisi për reklamat janë minimale në raport me problematikën komplekse që ka informaliteti i lartë brenda partive politike.
Krasniqi kujton se financimet kryesore elektorale rrjedhin nga tre burime; financimi direkt jashtë linjave partiake nga grupe “të forta” në zona lokale, financimi i pamatshëm në mall nga kompani të ndryshme apo nga asetet publike si dhe lobingu ndërkombëtar në qindra miliona lekë i bërë përpara fushatës.
Të tria këto burime, sipas tij janë të paverifikueshme nga ekspertët.
“Monitorimi dhe verifikimi i këtyre burimeve të financimit nuk janë specifikuar në legjislacion dhe për pasojë, ajo që ekspertët kanë verifikuar (lëvizjet në llogaritë bankare dhe deklarimet e vetë partive) janë maja e ajsbergut në financimin total të fushatës,” tha Krasniqi për BIRN.
Këtij diskutimi mbi burimet e paverifikueshme, Merkoçi i shtoi edhe shpenzimet online që partitë harxhojnë në rrjetet sociale apo problemin në rritje të shitblerjes së votës.
“Nuk ka asnjë mënyrë për t’i matur shpenzimet online… Problem tjetër në rritje mbetet shit-blerja e votës dhe tendenca e këtij fenomeni për t’u pranuar tashmë nga qytetarët si një tregtim malli i çfarëdoshëm,” tha Merkoçi.
“Ndërkohë që për të tjerat ka mënyra dhe po diskutohen mënyra se si të rregullohet situata, për këtë të fundit nuk ka ende asnjë studim, asnjë alternativë në tavolinë se si mund të përmirësohet, limitohet apo ndëshkohet në të ardhmen,” shtoi ai.
Ekspertët propozojnë ngritjen e mekanizmave të duhur të kontrollit nga KQZ-së, por edhe përcaktimin e penaliteteve shtrënguese për rritjen e transparencës financiare të partive politike.
“Ka vende që kanë sanksione shumë më preçise, siç janë jo vetëm kompensimi në buxhetin publik i shumave të përdorura jashtë deklarimeve, por edhe penalizimi deri në mosregjistrim në zgjedhjet e radhës,” tha Krasniqi.
“Nëse kjo masë aplikohet edhe tek ne, me siguri asnjëra nga partitë e sotme parlamentare nuk do të lejohej të konkuronte në zgjedhjet e vitit 2019 apo 2021,” përfundoi ai.