Veprimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili ka votuar të dielën në zgjedhjet në Shqipëri në përkrahje të kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka zgjuar reagime të shumta në Kosovë.
Lideri i partisë më të madhe opozitare, ai i PDK-së Enver Hoxhaj në debatin për vaksinat në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qytetarët po ndjehen të braktisur nga Kryeministri i tyre.
“E kanë parë që qeveria ka prioritete të tjera. Nuk ka ndodhur askund që Kryeministri i një vendi merret me ushtrimin e shtetësisë së dyfishtë”.
Kritika ndaj veprimit të Kryeministrit Kurti ka hedhur edhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Kur çdo dy orë vdes një qytetar në Kosovë, Kryeministri ynë shpërndan fletushka në Lezhë e Tiranë. Merreni me mend për dy javë ka vizituar Shqipërinë 4 herë, e qendrën efektive asnjëherë. I bëj thirrje që punën e parë çdo mëngjes ta nisë nga qeveria. Të lësh 1000 pacientë për Boiken Abazin nuk ia vlen. Ai i shkreti aq votues nuk i ka”.
Edhe analistët e shoqëria civile kanë kritikuar një veprim të tillë të Kryeministrit Albin Kurti. Sipas tyre pjesëmarrja e Kurtit në procesin e votimit në zgjedhjet në Shqipëri është bërë për realizimin e interesave të tij personale ndërsa ka anashkaluar interesat e qytetarëve të Kosovës.