Teksa ka marrë të bijën përkrah nga podiumi i PS ku shpalli fitoren në Kombinat, kandidatja socialiste Belinda Balluku është përlotur. Ajo tha se falë fëmijëve të saj ka arritur të marrë këtë rezultat në zonën e Kombinatitm ndërsa shtoi se pjesë e rëndësishme e fitores është edhe babai i saj që e ka mbështetur në fushatë. Balluku deklaroi se Unaza e Re u përdor si kalë beteje nga opozita, por të dielën, ajo i dha votat PS-së.
“Më thonin është e vështirë për ju se kërkoni mandatin e tretë. Ne kërkojmë mbështetje sepse kemi punuar. Ne kur kërkojmë votën e kërkojmë për Edi Ramën dhe jo për cirkun. Kombinati siç e tha edhe Eri (Veliaj) është një nga zonat më të vështira elektorale sepse ka të bëjë me disa elementë nga ndryshimi demografik te krijimi i një lagje të re. Tërmeti e shkatërroi një pjesë të mirë të Kombinatit. Ka pasur familje me një 18-mujorsh të vështirë. Njerëzit e Kombinatit janë njerëzit më punëtorë që unë kam njohur. Njerëz optimistë. Ne do nisim që sot dhe nesër.
Askujt mos t’i shkojë në mend që ne mblodhëm votat dhe do ikim. Ne do bëjmë gjithçka që kemi premtuar. Falenderoj Kombinatin, Sharrën, Misto Mamen. Mbani kurorën e socialistëve dhe më keni mbushur zemrën me gëzim kur shikoja si ato vinin lumë. Falenderoj Unazën e Re që u kthye në një kalë beteje dhe menduan që ai kalë beteje nga i cili nuk u prodhua asgjë përveç dy vitesh vonesë për ndërtimin e unazës. Dje edhe Unaza e Re tregoi se e kuptoj çfarë po bëjmë dhe vlerëson punën tonë. Jam e sigurt që kur të shkojmë për të kërkuar votën për Bashkinë e Tiranës atje do kemi një mbështetje të jashtëzakonshme.
Falenderoj patronazhistët e Kombinatit që janë më të mirët. Falenderoj babain tim që erdhi me mua në fushatë për PS dhe jo për mua. Sot vendosa të marrën Belen (vajza) me vete edhe pse jam kundra ekspozimit të fëmijëve. Sepse ajo dhe i vëllai janë një pjesë e rëndësishme e kësaj fitore. Nëse ata nuk do më kishin lejuar të bëja fushatë nuk do ia kisha dalë të merrja rezultatin që mora sot me shokët e mi. Por ata e kuptuan që kjo është një luftë për ta mbi të gjitha. Belen është pjesë e kësaj fitoreje. Ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë punën ashtu si ne dimë ta bëjmë”, tha Balluku.