Presidenti Ilir Meta në një mesazh me tona të qeta dhe presidenciale, iu është drejtuar shqiptarëve është shprehur se 25 Prilli ishte një ditë e qetë dhe tashmë është e rëndësishme që edhe procesi i numërimit të mbyllet i tillë.
Presidenti shprehet se ai ka qenë vetëm përballë institucioneve që për ishin të kapura, që 25 Prilli të ishte një ditë pa përplasje dhe pa skena dhune. Po ashtu kreu i shtetit shton se të gjithë duhet të reflektojnë deri në shtator që të krijohen institucionet e reja, ndërsa nuk ka komentuar rezultatin e dobët të LSI-së, apo edhe dorëheqjen që pati paralajmëruar nëse do të fitonte Edi Rama.
Mesazhi i Presidentit Meta:
“Të dashur qytetarë të Republikës, Më 25 Prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë. Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.
Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi. Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.
Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.
Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”.