Fati i Andrea Pirlos është i shënjuar, nuk do të jetë ai trajneri i Juventusit në sezonin 2021-2022. Në Itali për këtë janë të bindur, sidomos pas disfatës me Beneventon, momenti i vërtetë i thyerjes së raportit me trajnerin në një sezon të trazuar. Tani puna është se ndarja mund të vijë edhe më herët.
Ndeshja me Udinesen, vendimtare
Pas barazimit në Firence vetë Pirlo i ka komunikuar drejtuesve synimin për të bërë një hap pas, nëse diçka e tillë do të konsiderohej e dobishme, edhe pse më pas të dyja palët ranë dakord për të marrë më tepër kohë. Gjithsesi deklaratat e Pirlos të ngjashme me një dorëzim publik nuk i kanë pëlqyer hierarkisë drejtuese juventine. Në këtë aspekt, impenjimi me Udinese-n kthehet në vendimtar, pasi një tjetër hap fals që do të komplikonte më tej ecurinë drejt Championsit, në mënyrë të paevitueshme sipas mediave italiane do të sjellë largimin e trajnerit. Do të largohet Pirlo dhe për katër ndeshjet e ardhshme skuadra do të drejtohet nga Igor Tudor.
Në Udine skuadra duhet të shkojë e përqendruar, edhe pse situata e Pirlos është delikate, është pikërisht skuadra që është thërritur në apel për të dhënë përgjigje në fushë, duke filluar nga lojtarët simbol që po tradhtojnë pritshmëritë.
Kalendari nuk është ndër më të favorshmit, Udinese, Milan, Sassuolo, Inter dhe Bologna, por jo edhe aq i frikshëm nëse krahasohet me rivalët e tjerë në garën për një vend në Champions. Vendi i katërt është objektivi minimal, pasi një renditje më e keqe do të konsiderohej një falimentim katastrofik, dhe për këtë arsye nga Friuli duhet marrë një rezultat pozitiv. Nëse nuk ndodh, atëherë largimi i Pirlos është i pashmangshëm, dhe zëvendësi i përkohshëm është gjetur në shtëpi, Igor Tudor.
Ronaldo “zhbllokohet” në rrjetet sociale
Momenti i tij është, me thënë të paktën, mjaft delikat si në nivelin personal, ashtu edhe ekipor. Megjithatë, Cristiano Ronaldo nuk ka frikë dhe nuk kërkon justifikime, i vetëdijshëm se shumë më shumë po kërkohet prej tij dhe Juventusit. Kampioni portugez, pa gol në tri ndeshjet e fundit të luajtura, “bëhet i gjallë” përmes rrjeteve sociale, me një mesazh jo shumë të koduar: “Suksesi vjen kur ëndrrat janë më të mëdha se justifikimet tuaja”. Juventusi tani pret që Cristiano të bëjë përsëri Ronaldon në drejtkëndëshin jeshil. Përveç kualifikimit për në Ligën e Kampionëve të ardhshme, nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo po ndjek edhe titullin e golashënuesit më të mire të Serie A, që do ta fitonte për herë të parë qysh kur ka zbarkuar në Itali. Edhe një qëllim tjetër i një karriere tashmë të suksesshme.
El éxito ocurre cuando tus sueños son más grandes que tus excusas. 😉💪🏽
Posted by Cristiano Ronaldo on Tuesday, 27 April 2021