Politika “Karriera politike e Ilir Metës ka mbaruar”

“Karriera politike e Ilir Metës ka mbaruar”

Profesor Fatos Tarifa, thotë se humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit e ka vënë në pozitë të vështirë liderin e opozitës Lulzim Basha. I ftuar në emisionin Përballë, Tarifa tha:

“Lideri i opozitës është në pozitë shumë të vështirë. Do të duhet të zgjedh fjalët qe thotë në publik, të gjejë një argument një justifikim për humbjen e rëndë kur njerëz brenda partisë së tij e quajtën përgjegjës. Nuk di se si mund të vidheshin votat kur identifikimin biometrik i njerëzve ishte i tillë, i saktë. Pretendimi për vjedhje zgjedhjesh duhet parë në një kuptim tjetër sot. Vjedhjet para se të zhvillohen zgjedhjet nuk janë të mundura si më parë. Nëse është një alibi për të justifikuar një humbje kaq të thellë, kjo pastaj nuk mendoj se do marrë shumë seriozisht.” – tha Tarifa në Përballë.

Edhe politologu Ilir Kalemaj thotë se alibia për vjedhje industriale të votave nuk qëndron.

“Unë mendoj që ai po mundohet të fitojë kohë. Është e pamundur që të mohohet legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve. Madje dhe presidenti sot foli suedisht. Zgjedhjet u kryen në kushte normale dhe tha që do dekretonte. Në këto momente të gjitha alibitë për vjedhje industriale votash mendoj se nuk rezultojnë të vërteta, nuk kanë baza.”- tha Kalemaj në Përballë.

Për profesor Fatos Tarifën, karriera politike e Ilir Metës ka mbaruar. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi ai tha se sjellja politike e kreut të shtetit është tjetërsuar dhe nuk ka qenë aspak dinjitoze.

“E shoh të mbaruar, të mbaruar. Karriera e tij politike ka ardhur në atë pikë sa ai nuk mund të vazhdojë dot më. Nuk do të jetë në parlament, nuk do të ketë asgjë që e lidh me strukturat e pushtetit. Do trashëgojë një parti të coptuar keq dhe të plagosur rëndë dhe pa reputacionin që kishte kur u krijua. Kështu që nuk e di se çfarë mund të bëjë, cili do të jetë roli i tij si aktor në skenën politike.” – tha Tarifa në Përballë.