Gjatë gjithë ditës së djeshme në të 92 e KZAZ-të e vendit është vijuar me numërimin e votave të kandidatëve. Në disa qarqe madje, numërimi ka ecur me ritme shumë të mira, ndërkohë që është ndërprerë mbrëmjen e djeshme në orën 24:00 për të rifilluar sot në orën 9:00.
Këto janë zgjedhjet e para, ku votuesi ka pasur mundësi për të votuar edhe për kandidatin, jo vetëm për partinë. Me anë të këtij ndryshimi, është bërë e mundur që lista e kandidatëve të renditur nga kryetari i partisë, të ndryshojë në varësi të votave të marra.
Por çfarë ka ndodhur deri më tani?
Në Qarkun e Shkodrës ka një surprizë në Partinë Socialiste; udhëheq Benet Beci me mbi 3 mijë vota, i ndjekur më pas nga Paulin Sterkaj me rreth 2500 vota.
Një tjetër detaj interesant është fakti që tashmë kryeministri Edi Rama, i renditur i 8 në listën e Qarkut Vlorë e ka kaluar herësin me një numër shumë të madh votash, 10660.
Nga numërimi i deritanishëm, listën e të preferuarve në Tiranë për Partinë Demokratike e udhëheq kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi me 883 vota, i ndjekur nga Lulzim Basha 279 vota, më pas vjen Agron Shehaj me 193 vota, Orjela Nebijaj 155, Sali Berisha ka vetëm 98 vota.