Presidenti Ilir Meta në përfundim të detyrës së tij si president do të rikthehet në partinë që ai vetë themeloi. Pas humbjes të LSI, presidenti Meta njoftoi kështu edhe të ardhmen e tij pas lënies së detyrës presidenciale.
“Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”.
Duke e konsideruar humbjen në zgjedhje të LSI-së si tjetërsim të votave, presidenti Meta thekson se kjo ishte e pritshme, pasi nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor.
Meta i përgjigjet edhe deklaratës së Monika Kryemadhit të bërë më herët gjatës ditës së sotme, kur tha se LSI gaboi me strategjinë e djegies së mandateve.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve.
Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”.