Kryesore PS nis të hënën procedurat për shkarkimin e presidentit Meta

PS nis të hënën procedurat për shkarkimin e presidentit Meta

Partia Socialiste do të fillojë ditën e hënë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.

Ndërkohë në rrjetet sociale, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur se sapo të mbarojë procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 25 prillit, do i bëhen gati dokumentet për pension presidentit Ilir Meta.

“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit”, shkruan Balla në një postim në Twitter.

Ndërsa zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, thotë se Presidenti Meta do të dorëhiqej nëse Kryeministri Rama do të fitonte në mënyrë demokratike.

E në këtë rast, Presidenca vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të 25 Prillit, duke sqaruar përfundimisht se Ilir Meta nuk do të dorëhiqet.

“Për të gjithë sahanlëpirësit e Bablokut: Presidenti Meta di vetëm të mbajë fjalën! Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: Nuk ka dorëheqje”, shkruan në Facebook zëdhënësi i Presidencës.

Sot më herët presidenti Ilir Meta theksoi se do të jetë në  krye të presidencës deri në 24 korrik të 2022 dhe më pas do të rikthehet sërish në Partisë Socialistë për Integrim.