Në Mbretërinë e Bashkuar, dy raste të transmetimit të koronavirusit nga njeriu tek macet janë zbuluar dhe studiuesit në Universitetin e Glasgout pretendojnë se të dyja macet, të racave të ndryshme dhe nga familje të ndryshme, filluan të ndiheshin keq pasi pronarët e tyre u infektuan me koronavirus.
Studimi, rezultatet e të cilit u botuan në revistën Veterinar Record pas një programi për të testuar popullatën e maceve, tregon se nuk ka asnjë provë që ka pasur transmetim në drejtim të kundërt, nga macet apo qentë tek njerëzit.
Shtohet se kafshët shtëpiake nuk luajnë një rol të rëndësishëm në epidemiologjinë e infeksioneve njerëzore.
Por shkencëtarët theksojnë se ata mund të jenë potencialisht një lloj “rezervuari virusi” dhe se për këtë arsye është e rëndësishme të vazhdohet kërkimi nëse kafshët shtëpiake mund të jenë një faktor në përhapjen e infeksionit tek njerëzit.
Roli i kafshëve në transmetimin e virusit
“Transmetimi i virusit nga kafshët tek njerëzit aktualisht paraqet një rrezik relativisht të ulët për shëndetin publik,” tha autorja kryesore e studimit Margaret Hosie, një profesore e virologjisë krahasuese në Universitetin e Glasgout.
“Por me zvogëlimin e numrit të rasteve të infektimit midis njerëzve, mundësia e transmetimit midis kafshëve do të bëhet më e rëndësishme si një burim i mundshëm i kthimit të virusit midis njerëzve”, shpjegoi ajo.
“Prandaj është thelbësore të përmirësojmë kuptimin tonë nëse kafshët e ekspozuara mund të luajnë ndonjë rol në transmetim,” vuri në dukje ajo.
Infeksioni u zbulua për herë të parë në një kotele Ragdoll katër muajshe, e cila zhvilloi simptoma të frymëmarrjes pasi pronarët e tij u infektuan me virusin corona.
Veterinerët nuk ishin në gjendje ta shpëtonin atë, dhe një autopsi tregoi se ishte një pneumoni virale e ardhur nga infeksionin me virusin Corona.
Një shembull tjetër kishte të bënte me një mace gjashtëvjeçare siameze, te e cila infeksioni u transmetua gjithashtu nga pronarët.
Simptomat e saj ishin më të lehta dhe ajo u rikuperua me sukses.
Shkencëtarët besojnë se numri aktual i transmetimeve njerëzore në kafshë të koronavirusit është në të vërtetë shumë më i lartë sepse nuk është kryer testimi i mjaftueshëm.
Nuk dihet nëse macet e infektuara me virusin Corona mund ta transmetojnë virusin tek kafshët e tjera.
Që nga fillimi i pandemisë, ka pasur raporte të maceve të infektuara në Hong Kong, Belgjikë, Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Spanjë.
Supozohet se në të gjitha rastet, macet ishin infektuar nga pronarët e tyre.
“Ky është një studim me cilësi të lartë sepse përfshin sekuencimin e gjenomit qëllimi i të cilit është të konfirmojë mënyrën e transmetimit të virusit”, komentoi Profesor James Wood, kreu i Departamentit të Mjekësisë Veterinare në Kembrixh, i cili nuk mori pjesë në studim.