Chelsea mundi bindshëm me rezultat dhe me lojë Realin e Madridit, duke prerë biletën për në finalen e madhe të Champions League, aty ku e pret një tjetër ekip anglez, Manchester City.
“Blutë” e Londrës fituan 2-0, me nga një gol në çdo pjesë të shënuar nga Timo Werner dhe Mason Mount.
Karim Benzema tentoi në dy raste të barazonte rezultatin, por portieri Mendy reagoi në mënyrë të shkëlqyer në të dyja rastet, duke ruajtur portën të paprekur.
Chelsea mund dhe duhet të kishte fituar më thellë, por Courtois shmangu një humbje me goleadë për ekipin e Zidane.
Kjo është hera e tretë që ekipi ishullor siguron kualifikimin në finalen e Champions League. Hera e parë ndodhi në vitin 2008 (humbi finalen ndaj Manchester United), teksa katër vite më pas mposhti Bayern Mynih në një nga finalet më dramatike.
Sukses i madh edhe për Thomas Tuchel. Trajneri gjerman mori drejtimin e ekipit në janar dhe ia ka dalë t’i dhurojë një futboll të bukur dhe rezultate pozitive. Hera e dytë radhazi në finalen e Champions për të, pas asaj të sezonit të kaluar me PSG-në.