Me 14 vota pro dhe 1 kundër, Komisioni i Ligjeve i ka propozuar Kuvendit që të ngrihet një Komision Hetimor që do të hetojë shkeljet e Presidentit Ilir Meta. “Ligjet” vlerësuan si të ligjshme kërkesën e 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
“Me 14 vota pro dhe 1 kundër miratohet raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pasi konstaton se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës plotëson kërkesat kushtetuese dhe ligjore dhe vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar sipas parashikimeve për të hetuar shkeljet e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës”, tha Ulsi Manja.
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme tek Komisioni i Ligjeve ishte i ftuar edhe Presidenti Ilir Meta, mirëpo nga kabineti i tij njoftuan se kreu i shtetit nuk mund të anulonte apo zhvendoste axhendën e tij. Meta kërkoi datën 10 Maj për t’u paraqitur përpara “Ligjeve”, por mazhoranca nuk priti deri të hënën.
Kjo pasi sipas kreut të këtij komisioni, Ulsi Manja, Presidenti ka tentuar qëllimisht të pengojë punën e “Ligjeve”. Manja shpjegoi se me datën 10 Maj hyn në fuqi përcaktimi ligjor që nuk e lejon Kuvendin të ngrejë Komisione Hetimore 4 muaj përpara mbarimit të legjislaturës.
Sipas tij, nëse do të pritej kjo datë, atëherë kërkesa e 49 deputetëve që duan shkarkimin e Metës del jashtë afatit. “Presidenti në vlerësimin tim jo se nuk i ka mjaftuar koha se është vënë në dijeni menjëherë për kërkesën, por duke kërkuar datën 10 Maj ka kërkua që kërkesën e 49 deputetëve të cilët kërkojnë fillimin e procedurës së fillimit të shkarkimit të Presidentit ta nxjerrë jashtë afatit”, tha Manja.
Por nga ana tjetër, Presidenca thotë se kjo nismë është kryer me urdhër politik. Qëllimi, sipas tyre, është shmangia e vëmendjes nga procesi i zgjedhjeve të 25 Prillit, që për Presidencën ka pasur shumë parregullsi.
“Ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive”, thuhej në një letër që iu dërgua Komisionit të Ligjeve këtë të enjte.
Socialistët pretendojnë se kreu i shtetit ka shkelur hapur Kushtetutën me thirrjet për dhunë që ka bërë gjatë fushatës elektorale. Po ashtu ata shprehen se ai ka dhënë mesazhe që nxisin ndasinë ndërkohë që thonë edhe se Meta ka mbajtur anë duke mbrojtur opozitën, kur në fakt duhet të jetë simbol i unitetit.