Pas përmbylljes së procesit zgjedhor të 25 prillit një grupim i quajtur “Për PD-në” kërkon hapjen e një procesi politik dhe reformimin e Partisë Demokratike.
Pjesë e këtij grupimi janë Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Endira Bushati dhe një sërë figurash të tjera që u mblodhën sot për të diskutuar rreth qëndrimeve të tyre teksa vetë Partia Demokratike po pret zgjedhjet e brendshme të muajit korrik.
Gjatë konferencës së sotme të zhvilluar nga ky grupim, zonja Edith Harxhi u shpreh: “Nuk mund të kërkojmë një qeverisje të mirë në vend, kur nuk qeveriset mirë partia. Nuk mund të luftojmë korrupsionin kur korrupsioni gëlon në krye të partisë, në të gjitha partitë. Ne si grupi për PD-në, në PD, brenda PD propozojmë një reformim të thellë të Partisë Demokratike, modelin e hapjes dhe bashkimit të të gjitha forcave”.
Ky grupim u ngrit pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Demokratike.
Kjo e fundit mori vetëm 59 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa Partia Socialiste siguroi 74 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.
Zgjedhjet e 25 prillit nuk janë njohur nga selia blu, e cila ka paralajmëruar se është duke mbledhur fakte për atë që e quan “masakër elektorale”.