Veto-ja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut mund të shtrëngojë BE-në të mbajë Konferencës së parë Ndërqeveritare vetëm me Shqipërinë. Deri më tani dy vendet janë trajtuar gjithmonë bashkë, por Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në një intervistë për Euronews e ka lënë të hapur këtë mundësi.
Për Varhelyin, “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të organizuar Konferencën e parë ndërqeveritare. Kam shpresë se do të mund ta mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare në qershor. Nëse përballemi sërish me vështirësi me Maqedoninë e Veriut, atëherë pyetja që ngrihet është, nëse mund të vazhdojmë para vetëm me Shqipërinë. Ky mund të jetë një opsion”.
Sipas burimeve, Komisioni Europian pritet të rekomandojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Europian, në muajin e qershorit.
Deri tani, nga vendet e BE është mbrojtur qëndrimi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të vijojnë hapat njëkohësisht dhe të mos ndahen në proces. Por sot u raportua se KE mund të propozojë më parë nisjen e konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë.
Prej 1 janarit të këtij viti presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian e kryeson Portugalia. Në korrik kryesimi i presidencës i kalon Sllovenisë.