Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje Taulant Ballës, i cili në Kuvendin e Republikës ftoi kryetarin e selisë blu, Lulzim Basha, që t’i bashkohet iniciativës për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, thuhet se e vetmja gjë që duhet të merren palët në këto momente është sipas selisë blu “vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë”.
Bardhi tha se detyra e opozitës është të luftojë për rikthimin e demokracisë, ndërsa çdo çështje tjetër bëhet për të shmangur vëmendjen nga masakra elektorale.
“Gjëja e vetme me të cilën duhet të merremi dhe sigurisht Taulant Balla nuk pranon të bëjë, është vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë. Rama-Doshi-Rakipi e çoi vendin tonë në një masakër masive elektorale dhe viktimë janë qytetarët shqiptarë. Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, synon që të shmang vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë”, shkruan Bardhi në Twitter.