28 kandidatët për hetues në Byronë Kombëtare të hetimit kanë përfunduar me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si pjesë e kësaj struktura, njoftoi Struktura e Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit tetor 2020 dhe, sipas SPAK, ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
“Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë: “Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-së (FBI). SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thotë SPAK.
SHBA dhe BE urojnë hetuesit e BKH
Ambasada amerikane në Shqipëri dhe përfaqësia e Bashkimit Europian kanë uruar 28 kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët do të emërohen javën e ardhshme zyrtarisht në detyrën e re.
“Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.