Objektivi i arritur në përpjekjen e dytë. Romelu Lukaku, në sezonin e tij të dytë në Itali, arriti të fitojë titullin me Interin. Një triumf, ai i ekipit milanez, i merituar dhe i marrë shumë paraprakisht, falë golave dhe lojërave të kampionit belg. Lukaku, në një intervistë për “Corriere della Sera” donte të ndante meritat e këtij suksesi me të gjithë grupin zikaltër:
“Titulli është i ekipit, klubit, tifozëve, jo i imi. Nuk është se tani e tutje do ta konsideroj veten një lojtar të nivelit të lartë. Unë jam dikushi që ndihmon për të fituar, gjithmonë e vë veten në dispozicion të trajnerit. Të gjithë lojtarët kanë bërë një hap cilësor, shpresojmë se rritja mund të sjellë trofe të tjerë”.
Ajo mes sulmuesit belg dhe botës së Interit ishte dashuri me shikim të parë, aq sa ai donte të festonte fitimin e titullit në mesin e njerëzve: “Që kur zbrita ditën e parë, jam ndjerë mirë këtu. E ndjeva dashurinë e fansave menjëherë. Ishte fillimi i një historie të mirë. Thashë me vete: Duhet të bëj gjithçka që është e mundur për të fituar me këtë klub. Këto ishin vite të vështira për Interin, nuk kishte fituar një trofe për një kohë të gjatë. Këtë titull e ndiej edhe më shumë, doja të isha me njerëzit”.
Ishte Conte, ai që e dëshironte fort Lukakun në Milano. Sulmuesi shpjegoi se si trajneri arriti ta bindte të pranonte këtë aventurë: “Menjëherë. Ditën kur trajneri nënshkroi për Interin, unë i dërgova një mesazh: Po vij. Për mua, të luaja me Interin në Serie A ka qenë gjithmonë një ëndërr. Kur isha në Angli doja të luaja për Chelsea, pastaj vetëm për Interin. Unë përmbusha një ëndërr të vërtetë. Tani jam me trajnerin, i cili, për mua është më i forti. Ne kurrë nuk kemi surpriza në fushë, jemi të përgatitur për gjithçka. Fituam në vitin e dytë, në të parin u afruam. Ne dhe Conte e përjetuam vendin e 2-të në Serie A dhe finalen e “Europa League” si një humbje, e kthyem atë në motivim”.
Sezoni gjithashtu rezervoi për Lukakun një luftë të furishme në fushë me Ibrahimovic: “Ishim në disavantazh 1-0, humba një gol, u zemërova pak. Fjalët e tij më goditën. Nuk jam i kënaqur që kam reaguar kështu, por nuk jam ai që nuk hap rrugë. Jam modest dhe i qetë, jam fitues dhe luftoj deri në vdekje për shokët e mi të skuadrës dhe për fitoren”.
Sulmuesi belg foli edhe për njeriun Ibrahimovic: “Një lojtar i shkëlqyeshëm, ka fituar kudo që ka luajtur. Ai ka shënuar më shumë se 500 gola. Edhe si njeri, për aq sa e kam njohur te Manchester United, ka vlera të mira. Na duhen lojtarë të këtij niveli në Serie A. Ibra dëshiron të fitojë për veten e tij, unë dua të fitoj për Interin, Ronaldo për Juven, tani është edhe Mou te Roma. Të gjitha këto janë gjëra të mira për Italinë. Niveli është ngritur, le të shpresojmë që Interi të fitojë përsëri”.