Kuvendi ka miratuar këtë të premte ngritjen e Komisionit Hetimor për shkeljet e pretenduara të Presidentit Ilir Meta pas kërkesës së 49 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e kreut të shtetit. Ky projektvendim i propozuar nga Komisioni i Ligjeve mori 97 vota pro, 6 kundër dhe e kanë abstenuar 1 deputetë.
9 deputetë do të përbëjnë komisionin që do të hetojë Metën për shkeljet që pretendohet se janë kryer para dhe gjatë fushatës elektorale. Kryetar do të jetë deputeti socialist Alket Hyseni, ndërsa zëvendëskryetar Myslim Murrizi i opozitës. Deputetja socialiste Klotilda Bushka do të jetë sekretare e Komisionit Hetimor. Ndërkohë do të jenë edhe 6 anëtarë të tjerë të cilët janë deputetët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çaçani.
Për zëvendësim janë përcaktuar 3 deputetë të tjerë: Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu. Do të jenë këta deputetë që do të hetojnë presidentin dhe në fund do të miratojnë një raport nëse ekzistojnë shkaqe për shkarkimin e Metës.
Objekti i punës së këtij Komisioni Hetimor është hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021 përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Ndër të tjera në seancën plenare të së premtes, deputetët e Kuvendit miratuan ndër të tjera rrëzimin e 10 dekreteve të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të cilat i kishte kthyer për rishqyrtim.
Presidenca: Nuk do të njohim asnjë vendim antiligjor të Kuvendit
Presidenca ka reaguar pas vendimit të Kuvendit që miratoi Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Përmes një deklarate, zëdhënësi Tedi Blushi tha se Institucioni i Kreut të Shtetit nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.
Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.
Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul.
Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.
Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.
Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Presidencës.