Cilësohet si një nga klubet private të golfit më ekskluzive në botë. Për 108 vjet, të vetmit që mund të hynin në parkun prej 243 hektarësh kanë qenë një numër shumë i kufizuar anëtarësh, nga familjet më të pasura të Shteteve të Bashkuara, si dhe lojtarët më të njohur profesionist.
Por jo bashkëshortet e tyre, motrat ose mikeshat. Kjo sepse Pine Valley Golf Club, në Nju Xhersi, për më shumë se një shekulli i ka shërbyer vetëm meshkujve. Një rregull aq strikt, sa që thuhet që në vitet ’60 edhe Jack Nicklaus, një nga golfistët më të njohur të së gjitha kohërave, u detyrua të linte bashkëshorten në makinë për të përjetuar emocionin e kursit me 18 vrima që karakterizon klubin. Gratë jo vetëm nuk mund të luanin, por as të shëtisnin në parkun plot pemë dhe basene ujore.
Vitet e fundit, një farë tolerance ishte treguar ndaj seksit femëror, saqë prania e tyre pranohej në qoftë se ishin të ftuara nga një anëtar, dhe gjithsesi vetëm pasditen e së dielës.
“Jemi të lumtur të informojmë publikun se anëtarët e klubit dhe pronësia ka vendosur unanimisht të heqë çdo kufizim gjinor në klubin tonë”, deklaroi presidenti i klubit, Jim Davis.
Por kjo nuk do të thotë që rregullat e tjera do të lehtësohen. “Kandidatet duhet të jenë të përzgjedhura, të kenë një pasion për golfin dhe minimumin e aftësive për të luajtur në një fushë të vështirë si ajo e jona. Kemi kohë që po e mendonin hapjen, nuk donim të rrinim në anën e gabuar të historisë”, shtoi ai.