Kryesore Gëzimi cinik i opozitës për vizat

Gëzimi cinik i opozitës për vizat

Nga Bedri Islami

Ka një lajm me disa të vërteta të pakta: struktura të veçanta që merren me çështjen e sigurisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve në Holandë kanë dërguar në institucionet e tyre më të larta një informacion dhe kanë bërë propozimet e tyre përkatëse lidhur me emigracionin e ardhur nga shteti shqiptar në këtë vend. Është një praktikë e zakonshme që ndiqet jo vetëm në shtetin holandez, por edhe në vendet e tjera evropiane dhe kjo ndodh sa herë që këto struktura e shohin të nevojshme, ia kërkojnë ose vetë mendojnë se duhet shpejtuar në informimin e gjërave.

Në të vërtetë, duhet saktësuar se, emigracioni shqiptar i kohëve të fundit, që do të thotë i dekadës së fundit e pak më tej, është bërë jo pak herë shqetësim për vendet europiane. Të organizuar në grupe të vogla ilegale, por disa herë të fuqishme financiarisht dhe me një lidhje brenda vetes, brenda një klani të caktuar familjar apo shoqëror të mëhershëm, ata janë tejet agresivë, të dhunshëm dhe nuk njohin kufij në thyerjet e ligjeve. Normalisht në një vend të qetë, të mësuar me jetën e zakonshme, larg rrëmujës dhe dhunës si është Holanda, për shembull, ata bien edhe më shumë në sy dhe janë lehtësisht të dënueshëm. Kohët e fundit, edhe në këtë shtet, që deri para 10 viteve ishte si një ishull i banuar pak nga shqiptarët ilegalë e legalë, bota e nëndheshme shqiptare ka hedhur disa nga rrënjët e saj, të cilat, strukturat e posaçme holandeze kërkojnë t’i shkulin sa më shpejt dhe sa më thellë të jetë e mundur.

Për këtë ata kanë bërë edhe propozimet e tyre, të cilat, në një pjesë të tyre kanë të bëjnë edhe me lëvizjen e lirë të njerëzve, por edhe me masa të tjera politike, ligjore e kontrolluese. Gjithçka është normale për një vend që kërkon zbatimin e ligjeve të saj.

Ndërkohë, si mund të jetë pritur, opozita u ndez nga gëzimi i një cinizmi të egër.

Që nga opozitarët e hershëm, si Berisha dhe deri tek opozitari më i ri, Nishani, që kostumin e presidentit e kishte flakur që në ditën e parë, ose më saktë, nuk e veshi kurrë, për të mos kaluar në të tjerë më pak ose aspak të rëndësishëm, vunë kujën për rivendosjen e vizave.

Të jeni të bindur: kontrollet do të jenë më të shpeshta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, strukturat e veçanta në vendet evropiane do të jenë shumë më tepër rigoroze, por sistemi i vizave nuk do të rivihet. Askush në Bashkësinë Evropiane nuk e do dhe nuk e kërkon këtë kthim pas, megjithëse, thënë të drejtën, vitet e fundit, shteti shqiptar nuk e ka kryer si duhet detyrën e tij për të parandaluar valën e emigrimit.

Opozita e di se bota nuk bën pas në lëvizjen e lirë të njerëzve. Megjithëse kontinentit të vjetër, më shumë se kujtdo po i kërcënohet një fantazmë tjetër, ajo e terrorit islamik, ajo përsëri do të jetë një bashkësi e hapur, e lirive dhe e të drejtave të njeriut, bashkësi që mbi të gjitha do të kenë vend për dinjitetin njerëzor.

Që nga deklarimi i parë medial i Berishës, ndoshta bërë nga vila në Lalëz, përballë detit e mes pishave, e deri tek aktivizimi i shpejtë i Nishanit, si një rikthim i tij tek pragu që e delegoi në presidencë, në fatthënat haluçinante të Topallit, mbetur në vetminë e saj, tek Ristani, që edhe një deklaratë të hajrit nuk e bën dot, pra tek ajo që quhet elitë e opozitës, gëzimi cinik përshfaqet më tepër se sa mërzia përse mund të ndodhë kjo. Nishani shkon edhe përtej këtij gëzimi cinik: mbi të gjitha, duke dashur të bëjë edhe një herë publike besnikërinë e tij ndaj partisë-mëmë, ai kërkon të pastrohet parlamenti nga kriminelët, dhe, si është në traditën e tij e të opozitës përgjithësisht, nuk jep një emër.

Opozita është në të drejtën e saj të hidhërohet, të revoltohet, të zemërohet dhe të protestojë fuqishëm në të dhënën e parë të rivënies së sistemit të vizave dhe bllokimit të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në vendet e bashkësisë evropiane. Këtë duhet ta bëjë çdo opozitë, për më tepër kjo e tanishmja në Shqipëri, kauzat e të cilës kanë përfunduar që me mbylljen e çadrës dhe ndarjen e përkohshme të pushtetit me qeverinë. I duhet ta bëjë edhe si pjesë e qëndrimit politik, por edhe sepse në kohën e saj, me mbështetjen e opozitës së asaj kohe, që është sot në pushtet, ka ndodhur edhe heqja e sistemit të vizave për shqiptarët.

Në fakt, ajo do të ishte më e gëzuara nëse vizat do të rivendoseshin. Në të gjithë deklaratat e saj ajo e kërkon këtë, pasi, vetëm në njërin prej materialeve të opozitës, në atë të ish presidentit Nishani, hidhet më shumë baltë ndaj vendit të tij dhe ngrihen më shumë keqdashje se sa në të gjithë materialin e paraqitur nga strukturat e posaçme holandeze.

Të duket, por edhe është kështu se, zoti Nishani, duke përfituar ende nga roli që kishte si president i vendit, pra ende i besueshëm për një vend thellësisht të civilizuar si Holanda, ku ende nuk mund ta besojnë plotësisht se presidenti mund të jetë edhe lolo, i ofron asaj të dhëna shtesë, që nuk i kanë ditur, sipas shënimit të tij të gjatë politik, dhe mbi bazën e tyre, vizat duhet të rivendosen, bile sa më shpejt. Sepse, nëse i besohet atij, si mund të jetë e lirë lëvizja e qytetarëve shqiptarë, kur vendi sundohet nga një klasë politike mafioze, kur parlamenti është i mbushur me kriminelë, me njerëz të drogës dhe të mafias politike e financiare. Këtë shërbim ndaj strukturave holandeze Nishani e bën jo rastësisht dhe jo rastësisht është i gëzuar që e bën këtë. Ai, si shumë të tjerë rreth tij, nuk e ka për gjë vendosjen edhe një herë të sistemit të vizave, atij i duhet një kauzë politike, një mollë sherri, një akuzë monstruoze ndaj vendit të tij dhe një dëshmi e besimit politik brenda stafit të vet.

Cinizmi i opozitës ka të bëjë me pushtetin, por edhe me periudhën kur në Shqipëri do të ndodhin disa ngjarje të rëndësishme ku opozita do të jetë pjesërisht e pranishme.

E ndodhur para një dërmimi politik të pashoq, ndaj mohimit dhe heshtjes brenda vetes, krijimit të klaneve dhe përplasjeve politike në drejtimin e saj, e pamundur të futet edhe një herë në çadër, pa u bërë përfundimisht qesharake, e braktisur politikisht nga dy liderët e saj; nga Berisha për hatër të Bashës dhe nga Basha, që ka blerë politikisht e jo vetëm politikisht heshtjen e Berishës, përballë faktit se në parlamentin e ri ndodhet para një shumice qeverisëse që mund të shtohet, ndoshta edhe nga vetë radhët e saj; se do të ketë një qeveri të së majtës në pushtet që nuk ka nevojë për votat e saj, pra do të jetë jashtë pazareve… asaj i ka mbetur vetëm kjo rrugë: të gëzohet nga dështimet, edhe kur ato janë imagjinare, të jetë shpresëplot në bllokimin e njerëzve me shpresën se kështu zhbllokohet mohimi i saj dhe për të afirmuar veten se është diku.

Nuk do të ndodhë asgjë. Informacioni i strukturave të veçanta të shtetit holandez është më shumë një këmbanë për qeverinë e tashme dhe të nesërme, se sa një rast për gëzimin cinik të një opozite e cila përditë e më shumë, përmes vajtimit politik, lëngatës ndaj një vizioni dhe keqdashjes ndaj vendit të tyre, nxitin pikërisht këtë largim nga vendi, ku, si thonë ata, nuk mund të jetohet, po ku, për vete, janë bërë milionierët e pandershëm të këtij vendi.

Është një gëzim cinik, herë pas here, si në rastin Nishani, i përbindshëm.

Nuk do të jetë i gjatë.

Do të shfryhet, si të gjitha gjërat që ndodhin aksidentalisht.