Në Spanjë është koha për festë. Me thirrjet “liri”, qindra njerëz qëndruan jashtë deri në orët e para të së dielës, për të festuar heqjen e shtetrrethimit në 11 të mbrëmjes, për shumicën e 17 rajoneve në vend.
“Ka qenë një periudhë e vështirë dhe jemi të lumtur që gjithçka po përfundon. Shumë njerëz kanë humbur të dashurit, por ne arritëm të ecnim përpara. Punoj në një bar dhe shpresoj t’i rikthehemi gjërave qe kemi bërë më pare”, u shpreh Mateo Torres.
Gjendja e emergjencës e shpallur në muajin tetor që lejoi qeverinë qendrore të vendoste një shtetrrethim kombëtar e të ndalonte udhëtimet brenda vendit, u shfuqizua nga mesnata e së shtunës dhe qindra banorë të Madridit u grumbulluan në sheshin sol, ku zakonisht pritet viti i ri, për të festuar lirinë me kërcënime, këngë e pije me miqtë.
“Mendoj se është e mrekullueshme që hoqën shtetrrethimin. Në Itali, për shembull, ora policore nis në 22, por të gjithë bëjnë pak a shumë çfarë të duan, prandaj nuk ka kuptim”, tha Maura, një italiane në Madrid.
Madridi ka nivelin e dytë më të lartë të infektimeve në Spanjë me 318 të prekur për 100 mijë banorë. Por megjithëse shtetrrethimi u shfuqizua, baret dhe restorantet do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura pas mesnatës dhe policë do të mobilizohen për të penguar konsumimin e alkoolit në rrugë.