Arkeologët italianë kanë zbuluar mbetjet e fosilizuara të 9 neandertalëve, për të cilat mendohet se janë rreth 100 mijë vjeçare, në shpellën Guattari pranë Romës.
Lajmi është publikuar nga Ministria e Kulturës në Itali, e cila ka bërë të ditur se zbulimi ka ndodhur në një nga vendet më të rëndësishme në botë për historinë e neandertalëve.
Zbulimi i parë në këtë shpellë ka qenë një kafkë në vitin 1939. Së fundmi janë gjetur fragmente të kafkave, dy dhëmbë dhe fragmente të tjera të kockave.
Sipas ministrisë italiane, mbetjet datojnë të jenë nga 100 mijë në 90 mijë vjet më parë, ndërsa 8 neandertalë të tjerë besohet të jenë nga 50 deri në 68 mijë vjet më parë. “Ata janë të gjithë të rritur”, tha Francesco Di Mario, drejtuesi i gërmimeve të fundit.
Gërmimet nisën në vitin 2019 dhe u përfshi edhe një pjesë e shpellës, e cila ishte ende e paeksploruar. Zbulimi u vlerësua si i jashtëzakonshëm nga ministri italian i Kulturës.
Për antropologun Mauro Rubini numri i madh i mbetjeve tregon për një popullsi të konsiderueshme të neandertalëve në atë zonë. Arkeologët thanë se shpella kishte ruajtur në mënyrë të përsosur mjedisin e 50 mijë viteve më parë.
Në shpellë u gjetën edhe mbetje të kafshëve të fosilizuara. Neandertalët, të cilët kanë jetuar në epokën e paleolitit të hershëm e të mesëm, mendohet të jenë zhdukur rreth 40 mijë vjet më parë, ndërsa është e paqartë se çfarë mund të ketë ndikuar në eliminimin e tyre. Sipas disa teorive, ata mund të mos kenë arritur të përshtaten me ndryshimet e klimës.