Katër qytetarë nuk mundën ta fitonin betejën me koronavirusin përgjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë.
“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID19 nuk e kanë fituar 4 qytetarë: 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Pogradeci, 1 qytetar nga Fushë-Arrëzi, të moshave 51-79 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes.”
Sa i përket të infektuarve, numri i tyre vijon të bjerë. Kështu, gjatë 24 orëve të fundit, pozitivë kanë rezultuar 30 qytetarë.
“Janë kryer 1444 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 30 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 10 raste në Tiranë, 3 raste në Korçë, Devoll, Sarandë, 2 raste në Vorë, 1 rast në Shkodër, Fier, Lushnje, Vlorë, Mirditë, Kamëz, Malësi e Madhe, Kolonjë, Gramsh”.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 952 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 118,041 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 99 pacientë, 6 në terapi intensive, nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.