Debati për reformën në drejtësi u duk sikur ra në qetësi pas javës së rrëmujshme me akuza të forta mes Ambasadorit amerikan dhe Kryeprokurorit Llalla.
Por, përtej buzëqeshjes dhe premtimeve për bashkëpunim, debati vazhdon. Këtë herë jo me fjalë, por me dokumente të shkruara, që ndërlikojnë pozicionin mes partnerëve dhe mes aleatëve në qeveri.
Ministri i ri i Drejtësisë, Petrit Vasili, i emëruar në këtë detyrë për të përmirësuar bashkëpunimin në koalicion dhe për të çuar përpara reformën në drejtësi, ka shprehur një kundërshti të fortë për një nga pikat më delikate të procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi, rolin e operacionit ndërkombëtar të monitorimit.
Nëpërmjet një letre drejtuar presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ambasadorëve Lu dhe Vllahutin, ministri i Drejtësisë ka vënë në dyshim kushtetutshmërinë e bordit të menaxhimit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Një bord ky që, siç thekson ministri Vasili, nuk parashikohet në Kushtetutë dhe as nuk respekton përcaktimin kushtetues për të patur në përbërje vetëm gjyqtarë dhe prokurorë.
“Çdo parashikim tjetër për sa i përket Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përbërjes, rolit të tij të paqartë në proces, anëtarësisë së tij me pjesëmarrës të të përhershëm dhe të përkohshëm, si dhe përfshirja brenda tij të përfaqësuesve të ambasadave respektive, nuk gjejnë mbështetje qoftë në Kushtetutë, qoftë në ligj”, shkruan ministri në letër.
Sipas ministrit të Drejtësisë, të gjitha palët duhet të rikthejnë zbatimin e frymëz se Kushtetutës për garantimin e besueshmërisë së procesit të vettingut pa patur ndërmjetës politikë mes vëzhguesve ndërkombëtarë dhe autoriteteve shqiptare.
“Ky diskutim duhet të jetë pjesë e tryezave të nivelit të lartë politik dhe parlamentar. vetëm pas këtij diskutimit dhe vendimmarrjes pasuese mbi të, do të mund të vijohej më pas, me procesin e nisur tashmë”.
Zbatimi i reformës në drejtësi, mesa duket do të jetë edhe më i vështirë sesa ishte parashikuar. Top Channel mësoi se kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, edhe në cilësinë e ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, e ka cilësuar të paligjshëm procesin e zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në drejtësi.
Në letrën që u ka dërguar po të hënën, paralel me ministrin e Drejtësisë, presidentit, kryeparlamentarit dhe kryetarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Xhafaj thotë se procesi përzgjedhjes së listave nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Kjo do të thotë, që edhe rezultati i nxjerrë nga shorti është antikushtetues”, thotë kreu i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit në proces janë përdorur dy standarde.
Ky është një qëndrim i kundërt me atë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili e brijti publikisht procedurën e ndjekur nga Prokurori i Përgjithshëm, kur ai u akuza nga Ambasadori amerikan.
Megjithatë, sipas tij injorimi i këtij fakti cenon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe kompromenton sinqeritetin e faktorëve politikë dhe institucionale në deklarimet e tyre për të mbështetur reformën në drejtësi.