Mbi 15 persona janë shoqëruar nga policia e Vlorës në përpjekje për të zbardhur atentatin e një dite më parë në këtë qytet ku u ekzekutua në një atentat të mirëmenduar 40-vjeçari Bledar Birçaj. Mes tyre ka qenë edhe miku i viktimës që ndodhej me të në makinë në momentin e atentatit.
Ai është Granit Deromema, një efektiv policie të antidrogës që është marrë në pyetje për disa orë. Përpara hetuesve ai ka thënë se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash dhe se nuk ka mundur dot të dallojë cilët ishin autorët.
“Ishim të papërgatitur kur na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska, por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit të Birçajt. Jam i tronditur. Mendova se më kapën plumbat”.
Pas marrjes së dëshmisë, të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë. Hetuesit po përpiqen të identifikojnë autorët nëpërmjet kamerave të sigurisë. Për shkak se pas atentatit nuk u gjet ndonjë makinë e djegur dyshohet se ajo është fshehur në ndonjë garazh në brendësi të qytetit.
Autorët kanë qenë të maskuar dhe sapo i janë afruar makinës kanë hapur zjarr me breshëri. Në vendngjarje u gjetën rreth 30 gëzhoja. Në momentin e largimit njëri prej autorëve lëshoi armën në tokë, por u rikthye për ta marrë.
Pistat ku po hetohet janë konfliktet e së shkuarës ose prishja e pazareve të paligjshme. Viktima kishte vetëm 1 muaj që ishte kthyer nga Spanja. Ai njihej si pronar i një lokali në zonën e Lungomares.