Aktualitet Sekuestrohet kokainë në Durrës, 4 të arrestuar si rezultat i operacionit “Taksisti”

Sekuestrohet kokainë në Durrës, 4 të arrestuar si rezultat i operacionit “Taksisti”

Afro 1 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga policia e Durrësit pas një operacioni të zhvilluar nga ana e tyre dhe të koduar me emrin “Taksisti”.

Në pranga janë vënë Erges Shehi, 30 vjeç; Vilson Memini, 29 vjeç (i dënuar më parë me korrupsion aktiv); Armando Gjoka, 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe Agron Baci, 52 vjeç, banues në Tiranë.

Agjentët e Hetimit të Narkotikëve kanë marrë një informacion në rrugë operative se Gjoka kishte shkuar në zonën e plazhit në Durrës me mjetin e tij, së bashku 52-vjeçarin Baci për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy persona të tjerë. Për pasojë kanë organizuar edhe aksionin policor.

Mësohet se në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, Shehi dhe Memini të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit. Sapo kanë vënë re prezencën e agjentëve kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen. Në këtë moment një prej punonjësve të policisë ka qëlluar në ajër dhe më pas është bërë i mundur neutralizimi i tyre.

Po ashtu gjatë tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si kokaina që do të shitej. Pakoja peshonte rreth 900 gramë, njoftoi policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.