Politika Basha nga Lezha: Ndeshja nuk ka mbaruar. Regjimi Rama-Doshi i ka ditët...

Basha nga Lezha: Ndeshja nuk ka mbaruar. Regjimi Rama-Doshi i ka ditët e numëruara

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përsëriti nga Lezha se “regjimi Rama-Doshi i ka ditët e numëruara”. Gjatë një takimi me strukturat e partisë në këtë qark, një ditë pas takimit që zhvilloi në Durrës, Basha tha se demokratët nuk do të lënë asnjë mjet pa përdorur deri në përfundimin e kësaj beteje.

“E gjithë vëmendja jonë duhet të jetë te mobilizimi i çdo energjie të demokratëve, të mbështetësve tanë, të atyre që na besuan pavarësisht nëse janë apo jo votues tanë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim. Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë. Kush është lodhur nga kjo betejë është dorëzuar dhe pranon që fatin e familjes së vet, fatin e fëmijëve të vet t’ia dorëzojë atyre të cilët në familjen tonë nuk do t’i qasnim kurrë. Përfundimi i kësaj beteje është i pashmangshëm dhe fundi i regjimit Rama-Doshi, është fitorja e Shqipërisë. Le të bëhemi gati që njeriut që ndërtoi skemën kriminale dhe orkestroi masakrën elektorale të 25 prillit dhe aleatëve të tij kriminel, t’i tregojmë vendin një orë e më parë”.

Sipas Bashës, 25 prilli nuk ka mbaruar dhe vala e shpresës për ndryshimin nuk duhet të bërë pavarësisht çoroditjeve të opinionit, siç i cilësoi ai, për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës.

“Më 25 prill nuk ka mbaruar ndeshja. Shqiptarët po e ngrenë dhe do i ngrenë kartonët e kuq. Detyra jonë nuk ka mbaruar. Vala e shpresës për ndryshim nuk mund dhe nuk do të bjerë. As Edi Rama, as Tom Doshi, as Aqif Rakipi dhe as bandat e Durrësit, të Shijakut e të Krujës, të Fushë-Krujës, të Kurbinit e të Lezhës, të Shkodrës, askush tjetër nuk mund ta marrë peng këtë vend. Ne treguam se pa asnjë pushtet, të bërë njësh me qytetarët mund ta ngrinim valën e ndryshimit. Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës”.

Duke e konsideruar si detyrim të qytetarëve që donin ndryshimin, Basha tha se nuk do të ketë paqe deri në rrëzimin e këtij regjimi, ndërsa thekson se forca e demokratëve është mosbërja e aleancës me bandat dhe krimin.

“Valën e shpresës dhe të besimit për ndryshim që bashkë e ngritëm ta vazhdojmë, ta bëjmë më të fortë, më të vendosur. Shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, lagje më lagje, qytet më qytet, nga jugu në veri asnjë minutë paqe për regjimin Rama-Doshi dhe racën e tyre bastarde të kriminelëve. Është fare e thjeshtë zgjidhja: ose shqiptarët do të ulin kokën para këtij grushti bastardësh, ose të gjithë bashkë do t’i tregojmë vendin dhe do t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Përpiqen të na bëjnë të besojmë që dobësia jonë është që nuk bëjmë dot aleancë me bandat. Në fakt, kjo është forca jonë, kjo është vlera jonë dhe ky është çelësi i betejës që do të vazhdojmë deri në fitore për një arsye fare të thjeshtë se, sado që t’i rreshtojmë emrat nga i pari tek i fundit, ata mbeten një grusht njerëzish që përfaqësojnë llumin e shoqërisë dhe ne të gjithë bashkë, bashkë me mijëra socialistë që njësoj si ne prisnin që 25 prilli të ishte një ditë ndryshimi, nuk mund t’i lëmë një grusht kriminelësh të na e ndalin rrugën që e kemi nisur bashkë”.

Ai foli edhe zërat kritikë në Partinë Demokratike, duke u shprehur se mirëpret të gjitha kritikat konstruktive, idetë dhe konceptet.

“Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën dhe lirinë e vet për shprehjen e mendimit, ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e vetes dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime. Por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt. Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjitha kritikat konstruktive, idetë dhe konceptet teksa bëhemi gati që mbi 680 mijë shqiptarë që na besuan në valën tonë të ndryshimit t’i udhëheqim në vazhdimin e kësaj beteje deri në fund”.