Ditën e enjte, rreth mesnatës, agjencitë e shtypit të gjithë botës filluan të shpërndanin lajmin që mund të përfaqësonte një dimension tjetër, ndoshta i pakthyeshëm, në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.
Një zëdhënës i ushtrisë së Tel Avivit, Jonathan Conricus, kishte deklaruar se trupat tokësore izraelite kishin depërtuar në Rripin e Gazës, me mjete si tanke dhe autoblindë të ndryshëm, duke krijuar shqetësim në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare. Dy orë më vonë, po i njëjti person sqaroi se një sulm tokësor i Gazës nuk kishte ndodhur, edhe pse teknikisht forca izraelite ndodheshin brenda atij territori, por në një enklavë që kontrollohet prej kohësh nga Izraeli.
Një gafë e bujshme, dhe tejet e rrezikshme duke marrë parasysh pasojat e mundshme, por që sipas analistëve mund të jetë në fakt një strategji e stërholluar e shtabit ushtarak.
Një “betejë psikologjike”, për të krijuar panik te forcat e Hamasit që në orët e fundit ka hedhur më shumë se 1800 raketa nga Gaza në drejtim të territorit izraelit, ndërkohë që ushtria izraelite ka kryer më shumë se 1 mijë sulme ajrore duke synuar rreth 750 godina, në dyluftimet më të ashpra nga viti 2014.
Izraeli tha të enjten se ata ishin duke mbledhur trupa përgjatë kufirit me Gaza dhe u bëri thirrje 9,000 rezervistëve para një pushtimi të mundshëm tokësor të territorit nën sundimin e Hamasit, shkruan AP.
Dhe BBC raporton se të dy forcat ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite janë aktive, por që trupat nuk kanë hyrë ende në Gaza.
Që nga fillimi i luftimeve të hënën, më shumë se 100 persona janë vrarë, mes tyre dhe civilë e fëmijë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një deklaratë bëri me dije se operacioni ushtarak izraelit kundër militantëve palestinezë në Gaza do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme.
Ai tha se Hamas, grupi islamik që sundon Gaza, do të paguante një çmim të rëndë. Po si përgjigje një zëdhënës ushtarak i Hamasit tha se grupi ishte gati të përgjigjej në çdo kohë.
Përplasja e kësaj jave në Gaza dhe Izrael është më e rënda që nga viti 2014.